Connect with us

Kosova

Arrihet marrëveshja NISMA-LVV/ Reflektorët e teatrit politik bien mbi Fatmir Limajn

Mesditën e të enjtes, kur është thirrur seanca e radhës ne Kuvendin e Kosoves, reflektorët e teatrit politik u kthyen atje. Dhe në fokus të tyre ishte njeriu prej të cilit vëmendja u vodh nga ato që ngjanin në lëshime teknike, por që në të vërtetë ishin stisur të dukeshin si të tilla.

Kishin kaluar vite e vite prejse ai ishte dukur i rëndësishëm. Jo vetëm për kundërshtarët politikë, të kthyer në aleatë dhe të cilët gjatë fushatës i jepnin cilësorin e një “ishi”, që tani nuk ishte më, por edhe për ata që dikur i kishte pasur bashkëpunëtorë. Një fantazmë, që jo vetëm s’i hynte në punë, por as mund t’i prishte punë asnjërit. Por, ndër shqiptarë njihet mirë forca e madhe e mungesës. E hijes, e fantazmës.

Kthimi i Fatmir Limajt dukej jo vetëm në skenën politike, por edhe në krah të njeriut për të cilin s’i kishte kursyer cilësorët dhe nga i cili ishte sharë.

Nga burime eshte bere e ditur se tanimë është arritur marrëveshja që Fatmir Limaj të jetë kryetar i Kuvendit të Kosovës. Kërkesa e tij për dinjitet dhe siguri brenda koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje i është pranuar, duke i dhënë pozitën e kryeparlamentarit, të cilën partneri i koalicionit kishte luftuar fort që ta ruante për vete, në mënyrë që aty të akomodohej ish-shefja e grupit parlamentar, Mimoza Kusari, por të cilën e pretendonte edhe ish-kryediplomatja, Donika Gërvalla.

Kërkesat e tjera të Limajt, si ndryshimi i Nenit 112, Pika 2, të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, sipas të cilit përcaktohet që pragu të jetë 5%, por  që të zvogëlohet në 2.5%; riafrimi me aleatët dhe pranimi i kërkesave të BE-së për heqjen e saksioneve; bashkëpunimi në zgjedhjet lokale, qoftë përmes kandidaturave të përbashkëta apo përmes dhënies së ndihmës aty ku njëra apo pala tjetër ka nevojë, po ashtu thuhet të jenë pranuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Mirëpo, ndryshe nga ç’pritej, NISMA nuk do të marrë asnjë ministri. Pozitat qeveritare do të ndahen për Koalicionin Vakat të Duda Baljes, Partinë e Re Demokratike të Emilija Rexhepit, Partinë Liberale Egjiptiane të Veton Berishës, KDTP-në e Fikrim Damkës, si dhe për Nismën e Re Demokratike të Elbert Krasniqit.

Të tjerat do t’i mbeten Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka shqyrtuar mundësinë e rritjes së numrit të ministrive, ashtu që të mund t’i akomodojë figurat e rëndësishme të saj.

Ndonëse ndarja e ministrive brenda LVV-së është akoma e paqartë, burimet kane informuar se ka dakordim të përgjithshëm që Glauk Konjufca të jetë kryediplomati i ri i Kosovës.

Ravijëzimi i shumicës së re qeverisëse qartëson edhe pakicën e re, që në këtë rast i bie të jetë po ajo e vjetra. Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të vazhdojnë në opozitë. Bashkë me to edhe Lista Serbe. Pangjashmëria përbrenda pakicës parlamentare mund rivalizohet vetëm për nga panatyrshmëria e shumicës. Një ngrehinë e tillë politike, përveç e paqëndrueshme, mund të rezultojë edhe e padurueshme. Për veten, më shumë se për këdo tjetër. Prandaj, ndonëse ngjajnë të vendosura sot dhe ndoshta nesër, fatet e çdonjërit prej tyre mund të – kërkohet të – jenë shumë të ndryshme pasnesër.

Advertisement