Lifestyle
Arsyet përse flisni në gjumë
E folura në gjumë është një nga fenomenet më interesante në organizmin e njeriut.
Pavarësisht se shumë njerëz në botë flasin në gjumë në një pikë të jetës, ekspertët janë akoma të paqartë se çfarë e shtyn njeriun të flasë kur është në gjumë.
Sipas Agroweb, ajo që dihet është se njeriu që preket nga ky fenomen mund të flasë për 30 sekonda në natë.
Ka njerëz të tjerë që flasin shumë më gjatë se gjysëm minuti.
E folura zakonisht mund të bëhet me përshpërima ose me të bërtitura.
Njeriu që flet në gjumë, është në gjendje të kryejë një bashkëbisedim të mirëfilltë, por që mund të jetë i pakuptueshëm për personin tjetër në dhomë.
A është normale e folura në gjumë?
E folura në gjumë konsiderohet një fenomen normal dhe nuk ka ndonjë domëthënie klinike.
Ky është rregulli i përgjithshëm.
Megjithatë, ekspertët thonë se kur e folura degradon në të bërtitur dhe ulërima në gjumë, atëherë mund të kemi të bëjmë me një simptomë të hershme të sëmundjes së Parkinsonit.
Nëse vëreni se ky problem shfaqet krejt papritur dhe është i vazhdueshëm, ekspertët rekomandojnë një vizitë tek mjeku.
Arsyet përse flasim në gjumë
E folura në gjumë në shumicën e rasteve është e padëmshme, por në disa raste të tjera mund të tregojë jo vetëm një problem serioz me gjumin por edhe diçka më serioze siç është sëmundja e Parkinsonit.
E folura në gjumë si fillim shfaqet tek fëmijët nga 3-10 vjeç të cilët kryejnë biseda të tëra kur janë në gjumë.
Më pas ajo vërehet edhe tek të rriturit, në shumicën e rasteve me interval të caktuara.
Ekspertët thonë se e folura në gjumë është e njëjtë në të dyja gjinitë, madje besohet se mund të jetë e trashëgueshme.
Shkaktarët kryesorë të këtij fenomeni janë:
Përdorimi i medikamenteve të caktuara,
Stresi emocional,
Temperatura,
Çrregullimet mendore,
Përdorimi i substancave narkotike.
Ekspertët sugjerojnë shmangien e alkolit dhe minimizimin e stresit për një gjumë të qetë dhe pa trazira.