Gardiani i burgut, Fatjon Baci ka rrëfyer të tjera momente nga bisedat që kreu Erion Veliaj me të afërmit, përmes telefonit të tij përgjatë dy ditëve kur udhëtoi nga qelitë e paraburgimit të Durrësit, për në SPAK.

Ai ka zbuluar se në bisedë me bashkëshorten Ajola Xoxe, kryebashkiaku i ka dhënë porosi që të takonte avokatin për të bërë një prokurë apo kontratë, që fatura e  shërbimit të mos i vinte afrofe.

Fatjon Baci: Mesa kujtoj, pasi mbaroi bisedën me vëllanë, Erioni nuk ma ktheu telefonin se bëri telefonatë tjetër, pa më thënë mua. Kujtoj se ka biseduar me gruan, e tij. Këtë gjë e kuptova se u dëgjua një zë femre. Me gruan e tij, foli të njëjtat gjëra si me vëllain. Erioni i thoshte gruas së tij, se në seancë kishte folur edhe për përgjimet që i kishin bërë. Po kështu, gjatë bisedës me bashkëshorten, Erioni i thoshte që të shkonte të takonte avokatin për të bërë një prokurë apo kontratë, që mos t’i vinte aforfe. Pra, kërkonte që të bënte kontratën për çmimin e avokatit. Pasi foli me gruan, më tha nëse mund ta përdorte telefonin edhe për disa minuta, pasi donte të lexonte lajmet. Unë ia lashë në përdorim për rreth 5 minuta, shfletoi internetin në Safari ku shfletoi mediat.

Kur më ktheu telefonin, nuk më tha asgjë. As faleminderit. Kam dorëzuar Erionin në IEVP dhe jam larguar për në banesë. Gjatë rrugës, verifikova numrat, që ishin po të njëjtët që kishte biseduar një ditë më para. Pra dy numrat, vëllai dhe bashkëshortja. Numrin tjetër që përmenda më sipër që kishte “21” nuk e gjeta. Kam fshirë thirrjet dhe kam vijuar programin tim ditor”.

Erion Veliaj është marrë zyrtarisht i pandehur për akuzat e “korrupsionit”, “pastrimit të parave”, “fshehjes së pasurive” dhe “futje të sendeve të ndaluara në ambientet e vuajtjes së dënimit”.

Akuzat iu komunikuan ditën e djeshme në paraburgimin e Durrësit ku mbahet me urdhër të SPAK prej 10 shkurtit. Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur në total 30 persona, kompani dhe organizata jofitimprurëse, mes tyre dhe bashkëshorten e Veliajt, ish-kryetaren e komisionit të ligjeve Klotilda Bushka, 7 biznesmenë, familjarë e punonjës të kompanive të Ajola Xoxës.