Politike
Ashpërsimi i masës ndaj Berishës, Çuçi: PS mbështet çdo kërkesë të SPAK
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, gjatë fjalës së tij në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, rikonfirmoi edhe njëherë qëndrimin për të mbështetur organet e drejtësisë.
“Ne si Grup Parlamentar i Partisë Socialiste do të mbështesim çdo kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për autorizim të Kuvendit për heqje të imunitetit të kujtdo deputeti. SPAK është sot një nga institucionet më të besueshme në vend. Çdo kërkesë e SPAK, pavarësisht nëse deputeti është i majtë, i djathtë apo i asnjë krahu politik, do të gjejë mbështetjen tonë”, tha Çuçi.
Më tej kreu i Grupit Parlamentar të PS, solli në vëmendje të Këshillit edhe qëndrimin e Komisionit të Venecias për raste të trajtimit të kërkesave të tilla për heqje të imunitetit të deputetëve në rast të një kërkese nga organet e drejtësisë. Çuçi pyeti gjithashtu avokatët mbrojtës të deputetit Sali Berisha nëse ka qenë qëndrimi i këtij të fundit për të mos respektuar vendimet e gjykatave apo ishte i këshilluar prej tyre.