Connect with us

Sport

Askush si ato/ Shqipëria dhe Franca të vetmet skuadra me mur të pathyeshëm

Asnjë gol të pësuar në ndeshjet e luajtura në shtëpi. Këto janë shifra rekord që e gëzojnë vetëm dy skuadra në këto kualifikuese, Shqipëria dhe Franca. Përveç vendit të parë që mbetet një kasafortë e kyçur, Shqipëria ka edhe golaverazhin më të mirë që ka pasur ndonjëherë në kualifikuese. Janë plot 12 gola të shënuar dhe vetëm 4 të pësuar, duke marrë parasysh bilancet që mund të ndryshojnë mbrëmjen e sotme në ndeshjen me Ishujt Faroe, shifra që e çojnë golavarashin në plus 8.

Kombëtarja shqiptare ka shënuar gol në çdo ndeshje, përveç asaj humbje në sfidën e parë përballë Polonisë. Megjithatë, një statistikë e veçantë mbetet ajo e golave të pësuar në shtëpi, ku Shqipëria i bashkohet Francës për portën e paprekur dhe të vetmit gola janë pësuar në transfertë.

Ndërsa vlen të theksohet se të gjitha fitoret janë me 2 gola e sipër, tregues se nuk kanë qenë rastësi sukseset nën drejtimin e trajnerit Sylvinho. Në 7 ndeshje në grup, për kuqezinjtë kanë shënuar 7 futbollistë të ndryshëm, Asani dhe Bajrami kanë realizuar nga 3 gola, Seferi ka shënuar 2, ndërsa nga 1 kanë Asllani, Muçi, Daku dhe Cikalleshi.

Pra, për Shqipërinë golat janë shënuar nga sulmuesit dhe mesfushorët. Janë akorduar vetëm 2 penallti në favor të kuqezinjve në këto eliminatore, një e humbur dhe një e shënuar, në të dyja rastet protagonist ka qenë Cikalleshi.

Kurrë më parë Shqipëria nuk kishte marrë 7 rezultate pozitive radhazi, me 5 fitore dhe 2 barazime, ku 6 prej tyre janë sfida zyrtare. Ky rekord mund të thellohet sonte ndaj Ishujve Faroe, ku krahas rezultatit do të organizohet një ceremoni e madhe për të festuar kualifikimin në Gjermani, të cilën vetë Federata ka njoftuar që do të nis menjëherë pas përfundimit të ndeshjes në orën 23:00.

Advertisement