Kosova
“Asnjë kthim prapa”/ Shkëmbimi i territoreve, ja çfarë thotë Grenell për dialogun Kosovë-Serbi

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Misione të Posaçme, Richard Grenell, ka folur së fundmi për planet e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përjashtuar eventualitetin e rikthimit të propozimit për shkëmbimin e territoreve apo korrigjimin e kufijve.
Grenelli ka siguruar në një intervistë për “Klan Kosova” më 9 gusht se “nuk ka kthim mbrapa në asgjë” kur është pyetur nëse kjo çështje mund të zërë vend në tavolinën e negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit nën kujdesin e Bashkimit Evropian.
“Nuk ka kthim mbrapa në asgjë. Ne gjithmonë jemi përqendruar në zhvillim ekonomik, si shtytës për zgjidhje të problemeve dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, ka shtuar ish-emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, i cili në të kaluarën ka qenë një prej promotorëve kryesorë të idesë së vjetër për ndryshime territoriale Kosovë-Serbi.
Ndryshe, spekulimet rreth eventualitetit të rikthimit të idesë për shkëmbimin e territoreve ishin riaktualizuar pas rizgjedhjes së Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë, duke qenë se gjatë administratës së tij të parë, ideja e ripërcaktimit etnik të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë kishte gëzuar mbështetje të madhe në Uashington.

