Connect with us

Kosova

Asociacioni në Kosovë/ Lojë fjalësh, ngatërrim hapash

Përfaqësues të partive opozitare në Kosovë thonë se nuk kanë marrë ndonjë sqarim lidhur me idenë e kryeministrit Kurti për ndryshimin e emrit të Asociacionit.

“Nuk ka nevojë të bëjë lojë fjalësh”, thotë Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Asociacioni dhe kompetencat e Asociacionit nuk definohen nga emri që bart, por nga fuqia që do të ketë. Në këtë pikë, PDK-ja është konsistente. Asociacioni duhet të bëhet vetëm mbi bazën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese” – tha Çitaku

Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se marrëveshja për parimet e Asociacionit, e arritur po atë vit, nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës, por ka shtuar se të 23 pikat, që janë në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, mund të harmonizohen.

Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se Kurti nuk e ka sqaruar idenë e tij për ndërrimin e emrit të Asociacionit, por shton se vetë ideja nënkupton rihapjen e negociatave për një marrëveshje tashmë të arritur dhe të ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Haziri thotë se ideja e Kurtit vjen pasi ai e ka pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe kjo, sipas tij, paraqet ngatërrim hapash, sepse kushtëzimi i negociatave është i papranueshëm për ndërmjetësin ndërkombëtar.

Advertisement