Connect with us

Kosova

Asociacioni nuk bëhet edhe disa vjet, tani beteja për njohje

Ndonëse është ofruar një draft-Statut i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe në fund të tetorit, për të cilin janë pajtuar edhe pala kosovare edhe ajo serbe, ekspertja dhe studiuesja gjermane, Marina Vuloviç, nuk beson që ky institucion tejet kontravers do të jetësohet, së paku jo edhe për disa vite.

Kjo për shkak të situatës zgjedhore që nis nga viti i ardhshëm edhe në Bashkimin Evropian edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa pa presionin e të cilëve Qeveria e Kosovës nuk do të merrte as mundimin më të vogël për ta zbatuar.

“Mendoj se Asociacioni mund të themelohet kur të ketë vullnet të mjaftueshëm politik dhe nëse do të ketë trysni të mjaftueshme nga Brukseli dhe Uashingtoni për ta zbatuar atë” – theksoi ekspertja gjermane.

Vuloviç, pjesë e një institute që këshillon Bundestagun dhe Qeverinë Gjermane për politikën e Jashtme, nuk e përjashton se mund të ketë “një shtysë të fundit” nga euro-amerikanët në këtë drejtim, por edhe kjo mbetet për tu pare.

“Sfida e Kosovës nuk është mosnjohja nga Serbia, por nga pesëshja mosnjohëse e Bashkimit Europian, sepse njohja nga këto pesë shtete do të jetë përcaktuesi i integrimit të Kosovës në strukturat e larta evropiane. Prandaj  përpjekjet duhet të drejtohen saktësisht atje” – theksoi Vuloviç.

“Mendoj se edhe Serbia edhe Kosova po e gjejnë veten në ngërç. Asnjëra palë s’dëshiron të bëjë lëvizje sepse thellësisht janë mosbesuese ndaj njëra-tjetrës. Gjithashtu dyshoj që qeveria aktuale në Beograd dëshiron të jetë aktor konstruktiv në marrëdhënie me Kosovën, por ende vazhdoj të mendoj se njohja de facto e Kosovës do të ishte tejet fitimprurëse në përmirësimin e jetës së njerëzve në terren” – deklaroi ekspertja gjermane.

Rezolutën 12/44 që është e përfshirë në Preambulën e draft-Statutit, Vuloviç e sheh krejtësisht “në linjë me gjuhën juridike të BE-së ndaj Kosovës” teksa rikujton që Kosovës i referohen me asterisk edhe në raportimet vjetore.

Ndërkaq për këmbënguljen e kryeministrit Albin Kurti për “nënshkrim” të Marrëveshjes Bazë; Marina Vuloviç e quan taktikë bllokimi të mëtejshëm të zbatimit të marrëveshjes, dhe që sipas saj, dëshmon mosvullnetin e Kosovës dhe të Serbisë për të zbatuar obligimet.

“Mendoj se nënshkrimi ose së paku incializimi i marrëveshjes do të kishte qenë gjë e dobishme. Nuk do të ketë përparim në rrugën drejt BE-së pa  zbatuar marrëveshjen. Të ngulësh këmbë në nënshkrim mund të jetë një taktikë ngërçi, por nuk mendoj se ka vullnet të mjaftueshëm politik aktualisht për të zbatuar marrëveshjen te asnjëra pale” – potencoi Marina Vuloviç

E pyetur se si ajo raportin e Kosovës me sponsorët dhe mbrojtësit e saj shtetërorë nëse nuk e themelon Asociacionin, ajo u shpreh se Kosova do të jetë në një pozitë të pasigurt dhe se është e padrejtë të bëhet presion vetëm ndaj Kosovës, ndërkohë që nuk ushtrohet presion i mjaftueshëm ndaj Serbisë

“Kjo bëhet pasi Kosova i ka të gjitha vezët në shportën e Bashkimit Europian, që do të thotë se nuk ka alternativë tjetër veç Unionit, dhe prandaj BE-ja mendon se mund të bëjë presion mbi Kosovën, pasi e ka më të lehtë” – deklaroi Vuloviç, duke shtuar se me Serbinë, gjërat janë pak më ndryshe dhe se BE-ja mendon se mund të jetë e rrezikshme t’i bëjë shumë presion Serbisë, pasi mund të ‘fluturojë’ drejt Rusisë.

“Në përgjithësi, mendoj se rezultati i zgjedhjeve të Bashkimit Europian vitin e ardhshëm, do të na tregojë se me çfarë pasojash do përballen Kosova dhe Serbia për moszbatimin e marrëveshjes së Ohrit” – theksoi ekspertja gjermane.

Advertisement