Connect with us

Kosova

Asociacioni të bëhet urgjentisht/ Hovenier:…por jo me kompetenca ekzekutive

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, në një intervistë për mediumin amerikan “Bloomberg”, ka thënë se Kosova duhet ta themelojë “urgjentisht” Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ai tha se “Komuniteti serb në Kosovë ka ende një numër shqetësimesh dhe ata e shohin Asociacionin si një mënyrë për të ndihmuar në adresimin e këtyre shqetësimeve, prandaj dhe duhet të bëhet urgjentisht”. Megjithatë, sipas Hovenier një mekanizëm i tillë nuk duhet të ketë “kompetenca ekzekutive” dhe “duhet të kufizohet”…: Sepse ne besojmë se pa këto kufizime mund të bëhet diçka që është problematike ose burim jo-stabiliteti” – potencoi Hovenier. Diplomati amerikan është pyetur edhe për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator për të cilin përgjegjësinë e mori krimineli Milan Radojeçiç, i cili u mor në pyetje nga autoritet serbe dhe u lirua me kusht. “Ne jemi të vetëdijshëm qe ai ka thënë se e ka bërë këtë vetë. Ne nuk besojmë se kjo do të jetë fjala përfundimtare për këtë ceshtje” –  tha Hovenier, teksa dhe shtoi se “puna duhet të vazhdojë për të përcaktuar përgjegjësinë përfundimtare”. Po ashtu diplomati amerikan ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që t’i kthehen bisedimeve për t’i dhënë fund dhunës. “Është urgjente të rikthehemi në proces për të përmirësuar lidhjet. Anëtarësimi i mundshëm në të ardhmen në BE përfaqëson nxitjen kryesore për të dy vendet që të kthehen në tryezë për të zbatuar angazhimet e marra gjatë më shumë se një dekade negociatash”, shtoi ambasadori amerikan. Ai gjithashtu ne interviste ka folur edhe rreth propozimit të Presidentes Vjosa Osmani e cila tha se Kosova duhet ta përgatis me SHBA’në draft statutin e Asociacionit. Sipas diplomatit amerikan nëse Kosova fillimisht dëshiron ta ndajë propozimin e saj me SHBA një gjë e tillë do të mirëpritej. Sipas tij, “Në fund të ditës, ne do të duhet të punojmë me Bashkimin Evropian sepse kjo do të merret në kontekstin e dialogut të lehtësuar nga BE. Por çdo përpjekje që dëshiron të bëjë qeveria e Kosovës për të treguar se si do ta realizonte këtë vizion dhe do ta përmbushte këtë angazhim, do të ishte një hap pozitiv”

Advertisement