Aktualitet
Asociacionin në këmbim të asgjëje është absurd/ Intervista me amerikanin
Hulumtues i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane me seli në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Leon Hartwell, beson se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të vazhdojë të marrë pjesë në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por duke kërkuar edhe rrugë alternative për zgjidhjen e kontestit me Serbinë përtej kufijve të tryezës së negociatave.
Ai tha se Unioni Europian po kërkon gjëra jo të sinqerta nga Kosova, teksa po kushtëzon rrugën e saj drejtë BE-së me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe
Hartwell theksoi se është thelbësore të kujtohet qëllimi fillestar i Asociacionit, i cili sipas tij, ishte të nxiste stabilitetin në Kosovë, e jo të krijonte një mjet të qëndrueshëm për de-stabiliteti, potencon se krijimi i një mekanizmi të tillë në këmbim të asgjëje është absurde.
“Duke marrë parasysh ndikimin e konsiderueshëm që Serbia tashmë ka mbi serbët e Kosovës, është e udhës që Kosova t’i qaset themelimit të një Asociacioni të tillë me kujdes” – u shpreh Hartwell.
I pyetur për qasjen e Bashkimit Europian, e cila në dukje të parë jep përshtypjen se dëshiron të individualizojë përgjegjësinë në nivel zyrtarësh të institucioneve të Serbisë për sulmin terrorist të 24 shtatorit duke anashkaluar përgjegjësinë shtetërore të Beogradit dhe presidentit Aleksandër Vuçiç, Hartwell tha se është shqetësuese tendenca se si blloku evropian po neglizhon faktet në terren ndërsa po përqendrohet në mënyrë selektive te informacionet që përputhen me bindjet e tyre.
“Është shumë e qartë se ngjarjet e Banjës në shtator, shënojnë një moment kyç në Ballkan. Diplomatët perëndimorë nuk mund t’i qasen më dialogut Beograd-Prishtinë me të njëjtat supozime si në të kaluarën. Vuçiç ka demonstruar mosgatishmërinë e tij për t’u angazhuar në mirëbesim dhe gatishmërinë e tij për të de-stabilizuar situatën e konfliktit.
Politikëbërësit perëndimorë duhet të jenë thellësisht të shqetësuar sepse de-stabiliteti në Ballkan ka një tendencë të përhapet përtej rajonit. Ka ardhur koha për një rivlerësim të thellë të diplomacisë perëndimore në Ballkan” – këshilloi Hulumtues i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane me seli në Uashington
Përkundër se Serbia nuk është distancuar nga akti terrorist i 24 shtatorit, komuniteti ndërkombëtar nuk I ka vënë sanksione asaj, kurse Kosova vazhdon të jetë nën masa shtrënguese të vendosura nga BE.
Sipas Hartwell një arsye e mundshme e hezitimit të BE-së për të vendosur sanksione Beogradit zyrtar qëndron te fakti se të njëjtit po tentojnë të ruajnë iluzionin e shpëtimit të dialogut.
“Shumë përpara sulmit terrorist në Banjskë, zyrtarët e BE-së dukej se kishin arritur në përfundimin se, Vuçiç ishte një forcë stabilizuese në Ballkanin e paqëndrueshëm pavarësisht nga tendencat e tij autoritare. Politologët shpesh përdorin termin “stabilokraci” për të përshkruar regjimin e tij – një term që i referohet një qeverie autokratike që merr mbështetjen perëndimore për shkak të besimit të rremë se ajo siguron stabilitet rajonal, pavarësisht nga deficitet e saj të brendshme demokratike” – deklaroi Hartwell duke shtuar se “Fatkeqësisht, Ballkani ka dalë kryesisht nga agjenda ndërkombëtare në vitet e fundit. Në kontrast të plotë me vitet 1990 dhe 2000, ka një mungesë të dukshme të programeve të dedikuara ballkanike në Uashington”.
Leon Hartwell theksoi gjithashtu se mënyra më e shpejtë për t’i dhënë fund konfliktit Serbi-Kosovë qëndron në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi. Megjithatë, për momentin, kjo perspektivë duket politikisht e paqëndrueshme për Vuçiç-in dhe ai nuk po e përgatit publikun për një lëvizje të tillë. Për më tepër, ai po nxit ndjenjat anti-BE, duke çuar në një rënie të ndjeshme të mbështetjes për integrimin në BE në Serbi. Rrjedhimisht, karota e dikurshme e lakmuar e BE-së për promovimin e “normalizimit” – një fjalë pa kuptim ligjor – është zvogëluar pothuajse në të parëndësishme.