Connect with us

Kosova

Ata do sulmojnë përsëri/ Analistja amerikane tregon se çfarë pritet të ndodhë

Në një intervistë për ‘Slobodna Bosna’, profesoresha Ivana Stradner, studiuese amerikane e luftërave hibride ruse dhe këshilltare e Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracisë nga Uashingtoni ka sqaruar se askush nuk mund të parashikojë se kur do të përfundojë lufta, por sipas saj një gjë është e sigurt. Putini po bën një “luftë sfilitjeje” me synimin për ta bërë atë të zgjasë sa më shumë. Ajo gjithashtu ka ndërlidhur edhe sulmin që u krye në Banjskë në shtator të vitit të kaluar dhe dezinformatat që Rusia nisi pak përpara se ky sulm të ndodhte….

“Putinit nuk i intereson pushtimi i Ballkanit. Ai e sheh kete Rajon ekskluzivisht për të çuar përpara interesat e tij në Evropë. Putinit i pëlqejnë konfliktet e ngrira, në mënyrë që t’i shkrijë gjithmonë kur i përshtatet kaosit të tij. Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për të për shkak të Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës, të cilat janë pika të ndjeshme në rajon dhe që gjithmonë mund të ndezin tensione dhe të çojnë në konflikte” – theksoi Stradner, sipas së cilës,  Putini dhe Moska gjithçka po e bën për dy qëllime.

“Së pari, për të larguar vëmendjen nga Ukraina dhe për të frikësuar Perëndimin se një front i ri do të hapet në Evropë nëse nuk bëjnë lëshime ndaj Moskës. Së dyti, Putini ka një qëllim strategjik për të treguar se NATO është një tigër letre”.

“E pamë vitin e kaluar kur 90 anëtarë të NATO-s u plagosën në veri të Kosovës, kur serbët u përleshën me policinë dhe pjesëtarët e KFOR-it. Disa muaj më vonë ndodhi Banjska” – tha analistja amerikane dhe paralajmëroi se mund të ketë një raund të dytë të përshkallëzimit të situatës këtë vit nga strukturat proruse në Maqedoninë e Veriut, gjë që do t’i ndërlikojë edhe më tej gjërat në Kosovë dhe do të jetë një tjetër provë zjarri për NATO-n. Edhe në Bosnje, Dodik po teston Perëndimin me ndihmën e Rusisë.

“Në vitin 2023 ka qenë raundi i parë i përshkallëzimit. Tani mund të presim raundin e dytë. Vitin e kaluar, media ruse zhvilloi një fushatë të fortë dezinformimi përpara Banjskës se Perëndimi po hapte një front të dytë lufte. Ata gjithmonë e bëjnë këtë përpara se të rindezin tensionet. Narrativa që vjen nga Moska është identike me atë të vitit 2023. E vetmja gjë e mirë është se Perëndim e ka kuptuar, prandaj Britania e Madhe dhe Gjermania rritën numrin e ushtarëve në Kosovë” – Potencoi Stradner.

Advertisement