Një 24 vjecar ka mbetur i plagosur rëndë mbrëmjen e sotme pas një atentati në rrugën “Egnatia” pranë Selanikut. Ronaldo Pecaku, 24-vjec, me origjinë nga Elbasani por lindur në Selanik e banues në Sozopoli të Halkidikisë, është qëlluar me armë zjarri teksa po udhëtonte me motor. Paraprakisht mendohet se ndaj tij është hapur zjarr nga një tjetër motor që po e ndiqte.

Ngjarja ka ndodhur pak para kabinave të pagesës së rrugës në Oraiokastro. Pecaku ka marrë një plumb në bark dhe i plagosur ka mundur të ecë edhe pak deri tek kabinat e Oraiokastros. Aty ka rënë dhe punonjës e kalimtarë kanë njoftuar ambulancën dhe policinë. 24-vjecari është transportuar drejt spitalit “Axepa”, ndërkohë që policia ka nisur hetimet.

Ronaldo Pecaku rezulton me precedentë penalë, i arrestuar në korrik 2021 për vjedhje dhe i liruar para një muaji.