Connect with us

Kronike

Atentati i dështuar ndaj dy shokëve në Berat, arrestohet një tjetër person që ndihmoi dy autorët

Një tjetër person që përkrahu dy autorët e atentatit të ndodhur pesë ditë më parë në Berat është arrestuar nga policia.

Në pranga ka rënë 32-vjeçari A.H., i cili së bashku me 46-vjeçarin E.D., që u arrestua dje në Kakavijë, kanë lëvizur nga Berati dhe kanë fshehur në Durrës, automjetin tip “Ford”, nga i cili dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri, vëllezërit Fatjon dhe Marko Maloku në drejtim të Antonio Merkaj dhe Apostol Dhëmbi.

Ditën e djeshme u sekuestruan automjeti dhe arma e zjarrit që përdorën 2 vëllezërit e dyshuar për këtë ngjarje.

Ndërkohë, dy autorët janë ende në kërkim. Dy shënjestrat e atentatit kanë qenë Antonio Merkaj dhe Apostol Dhëmbi (shokë mes tyre).

Ata kanë qenë tek “Karaburant Merko” kur nga një automjet, tip Ford i zi, është qëlluar në drejtim të tyre. Makina i ka ndjekur nga prapa duke qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të tyre.

Ndërkohë që dy shënjestrat janë larguar në brendësi të lagjes “Donika Kastrioti”, atentatorët janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja.

Fatmirësisht, asnjë nuk u plagos nga breshëria e kallashnikovit, as shënjestrat dhe as kalimtarët e rastit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

Advertisement