Connect with us

Kronike

Atentati me 4 të plagosur në Lundër/ Gjendet i djegur motomjeti që përdorën autorët

Motoçikleta tip “Ducati”, me të cilën autorët e larguan pasi qëlluan në drejtim të makinës “G Class”, mbrëmjen e së enjtes, ku mbetën të plagosur 4 persona, mes të cilëve 2 të mitur, është larguar në drejtim të Elbasanit.

Grupi hetimor ka mundur ta ndjekë deri diku në autostradë, ndërsa më pas ka humbur gjurmët, pasi ka devijuar nëpër disa rrugë fshatrash pa mbërritur në qytet, në të cilat deri më tani ka qenë i pamundur gjurmimi pasi nuk ka kamera sigurie.

“Në vijim të kontrolleve të pandërprera dhe të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 17.04.2025, naë Lundër, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një automjeti me të cilin qarkullonin 4 shtetas, shërbimet e Policisë, ditën e sotme, kanë gjetur në afërsi të fshatit Fikas, Mullet, një motomjet të djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje.”- njofton policia.

Gjatë kohës që atentatorët kanë nisur të qëllojnë në drejtim të makinës “G Class” që drejtohej nga Arenc Stafa, në lëvizje, përveç 7 gjurmëve të plumbave që janë gjetur në makinë, një tjetër plumb ka kapur një makinë tjetër që ka qenë duke lëvizur në afërsi. Drejtuesi i saj është larguar menjëherë prej frikës, por pak çaste më vonë ka njoftuar policinë.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Advertisement