Kronike
Atentati në Don Bosko/ Makina e autorëve erdhi nga dogana e Morinës
Makina tip “Golf 5” e cila u përdor nga autorët gjatë atentatit të 3 shtatorit në Don Bosko mësohet të jetë futur në Shqipëri nga dogana e Morinës. Policia shqiptare i është drejtuar Policisë kosovare me një letërporosi, ku i kërkon informacion për përdoruesin e këtij automjeti, me qëllim rënien në gjurmët e atentatorëve.
Dyshohet se makina i është shitur atentatorëve për tu përdorur në atentat por automjeti mund të jetë futut në vend nga vetë personat e përfshirë. Për këtë po punohet edhe me këqyrjen e pamjeve të kamerave kufitare për identifikimin e personave që e sollën, ndihmuar nga mungesa e kontrolleve fizike gjatë sezonit veror.
Targat që u përdorën në mjetin që u dogj më pas, i përkasin një makine në Valias, të cilat dyshohet se janë marrë brenda një garazhi. Policia po punon për të gjetur pronarin e saj, edhe pse ky i fundit nuk i ka denoncuar si të vjedhura.
Nga atentati mbetën të plagosur me armë zjarri Kastriot Elezi 45 vjeç dhe Ronaldo Metushi 22 vjeç. Autorët kanë qenë më një makinë tip ‘Golf 5’ dhe kanë qëlluar në verandën e lokalit ku të plagosurit po pinin kafe.
Pasi janë bindur që i kanë qëlluar, autorët me makinën tip ‘Golf 5’ ngjyrë gri janë larguar nga aty me shpejtësi. Sipas kamerave të sigurisë, autorët kanë ardhur nga Kamza duke kaluar te liqeni i Paskuqanit. Më pas janë afruar në Bulevardin e Ri dhe janë futur në Don Bosko. Por të njejtën rrugë kanë ndjekur për tu larguar nga vendngjarja. Teksa kalon Kamzën, autorët kanë djegur makinën në Qerekë.