Shkrime
Atentati në Lundër, ngatërrimi fatal i dy makinave dhe hijet e hakmarrjes së vjetër

Një atentat në Lundër pranë tregut Agro Ushqimor në Tiranë, ka lënë katër të rinj të plagosur, dy prej të cilëve të mitur, mes tyre edhe 11-vjeçari nip i pronarit të kompanisë së sigurisë private “Pelikan Security”. Të rinjtë udhëtonin me një mjet tip “Mercedes-Benz G Class” kur u qelluan me breshëri plumbash nga autorë ende të paidentifikuar. 11-vjeçari vijon të jetë në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës.
Ndërkohë disa orë më parë, u vra në atentat në Pllanë të Lezhës Gjovalin Prendin, babai i Roan Brahimit. Ky i fundit, i njohur edhe me emrin Sidorel Prendi, ishte një emër që mbante pas vetes një histori të errët lidhjesh me botën e krimit, hakmarrjes dhe atentateve seriale.
Roan Brahimi u vra në Athinë më 9 maj 2024, në sy të bashkëshortes dhe fëmijës së tij të mitur. Autorët, të veshur me të zeza dhe në motor, e qelluan me breshëri armësh në rrugën “Bajron”. Sipas policisë greke, motivi kryesor ishte larja e hesapeve mes bandave shqiptare, ndërsa pista kryesore në hetim lidhet me hakmarrjen e nisur pas një tradhtie që Roan-i kishte pasur në raport me grupin e Ervis Martinajt.

Hetimet tregojnë se Roan Brahimi kishte qënë njëherë viktimë e dhunës nga Ylli Brahja, një bashkëpuntor i Martinajt. Pasi u mor në një shtëpi që përdorej rregullisht nga njerëzit e Martinajt për t’i bërë presion kundërshtarëve, Roan Brahimi ishte dhunuar brutalisht dhe pas kësaj ngjarjeje kishte nisur hakmarrjen e tij.
Sipas dosjes hetimore, një prej shënjestrave ishte Brilant Martinaj që u vra në Fushë Krujë, bashkë me dy miqtë e tij. Menjëherë pas vrasjes së Brilant Martinajt, një nga emrat e shpallur në kërkim ishte Roan Brahimaj. Pas kësaj i erdhi radha Ylli Brahjas që u qëllua me breshëri armësh në Milot, atje ku mbeti i vrarë Klisman Preçit.

Emri i Roan Brahimit u lidh edhe me ekzekutimin e Gentjan Bejtjas, një person që u vra në shtëpinë e tij në Fushë Krujë. Dyshimet rreth tij u rritën pas arrestimit të dy personave të dyshuar për vrasjen e Bejtas, njëri prej të cilëve ishte kunati i Brahimit. Megjithatë, ndonëse hetuesit nuk arritën të ngrinin akuza të drejtpërdrëjta ndaj tij, emri i Roanit figuron në të gjitha skemat e atentateve të dy viteve të fundit.
Roan Brahimi njihej gjithashtu si mik i ngushtë i Ramazan Rrajës, nipit të deputetit socialist Rrahman Rraja, dhe ishte përfshirë edhe në disa episode kriminale në Lezhë.
Ngjarjet e fundit, vrasja e babait të Roan-it dhe atentati i ngatërruar në Tiranë, ndërthurin një rrjet të gjerë hakmarrjesh, ku shënjestërat nuk janë më aq të qarta, ndaj aty përfshihen viktima të pafajshme që ndodhen në vendin dhe makinën e gabuar.
Gjithçka po ndodh, tregon se fantazma e Ervis Martinajt vazhdon shfaqet në atentatet, për të treguar se loja ende nuk ka mbaruar./Lapsi.al

