Kronike
Atentati në Vlorë/ Kevin Hajrulla ende në rrezik për jetën, dyshohet se autorët ishin 3

Një atentat mafioz trondit Vlorën! Kevin Hajrulla u plagos mbrëmjen e djeshme gjatë një atentati të mirëplanifikuar. Por edhe në këtë ngjarje kriminale, fatkeqësisht u plagos edhe një kalimtar rast, i identifikuar si Armand Spahia. Ky i fundit ishte tregtar ambulant i fruta-perimeve, i cili si shumë të tjerë u gjend në kohën dhe në vendin e gabuar. Shënjestra e atentatit, 30-vjeçari Hajrulla po qarkullonte me mjetin e tij, tip “Benz”, kur autorët u afruan në vendin që njihet edhe si “posta e Çoles”. Nga mjeti i tyre, “KIA” me targa italiane, autorët kanë qëlluar me breshëri drejt 30-vjeçarit. Në vendin e ngjarjes janë gjetur më shumë se 60 plumba kallashnikovi.
Tashmë, hetimet kanë nisur për autorët e ngjarjes! Dyshohet se autorët ishin tre, njëri shofer, i cili ka qënduar të gjithë kohën në makinë, ndërsa dy të tjerët kanë dalë jashtë dhe kanë shtënë me armë zjarri. Të bindur se e kishin ekzekutuar shënjestrën e tyre, autorët janë larguar me shpejtësi në fshatin Panaja, ku edhe dogjën mjetin e përdorur në krim. Brenda “KIA-s”, hetuesit gjetën edhe 2 armët e zjarrit të llojit kallashnikov. Ndërkohë që i plagosuri ende nuk është marrë në pyetje nga uniformat blu, Policia ka shoqëruar më shumë se 15 persona që dëshmuan të gjithë ngjarjen. E po ashtu, po hetohet edhe e shkuara e të riut, i cili aktualisht po trajtohet në Spitalin e Traumës. Sipas mjekëve, ai është ende në rrezik për jetën, ndërsa Spahiu, i cili u qëllua gabimisht ka marrë një plumb në këmbë dhe ndodhet në spitalin e Vlorës. Ndryshe nga 30-vjeçari, ai është jashtë rrezikut për jetën.
Kevin Hajrulla është kushëriri i Inez Hajrullës, një personazh i njohur i botës së krimit, i cili i ka shpëtuar disa atentateve në qytetin e Vlorës dhe aktualisht është në kërkim nga Policia e Shtetit. Inez Hajrulla njihet nga Policia e Vlorës si person me precedent të theksuar kriminalë. Në vitin 2013, ai u arrestua i dyshuar si autor i grabitjes me armë të një kazinoje në këtë qytet. Më pas, ai u la i lirë për mungesë provash. Më 10 maj të 2019 në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, Hajrulla u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, skemë tipike e eliminimeve mafioze, teksa ishte ulur në një lokal.
Ai mundi t’i shpëtonte atentatit, e bashkë me të u plagos në mënyrë rastësore edhe Dajko Cenodemaj, i cili po konsumonte kafe në të njëjtin lokal. Së fundmi, në verën e shkuar, ai u tentua të vritej nga Amarildo Nikolli (Xhanej). Sipas dosjes së SPAK, pretendohet se Inez Hajrulla ishte futur dhe po zhvillonte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Vlorës, treg i cili kishte rënë ndesh me interesat e konkurrentëve të tij. Por edhe me disa ngjarje të mëhershme kriminale, ku ai del se ishte i përfshirë ose ku rivalët e tij mendonin se ai kishte gisht. Po ashtu, Inez Hajrulla konsidreohet si armiku i përbetuar i Sokol Sinomatajt, të njohur si ‘buzëderri’, i cili ka qenë i dyshuari kryesor për vrasjen e Edison Harizajt, ‘faqedjeguri’. Pas eliminimit të Harizajt, ishte Hajrulla ai që kaloi në krye të grupit kriminal.

