Connect with us

Kronike

Atentati që plagosi të rinjtë/ Gjendet në Mullet motori i djegur i dy autorëve

Motori që dyshohet se është përdorur për atentatin në Tiranë është gjetur i djegur në fshatin Fikas të Mulletit. Mjeti është gjetur vetëm pak kilometra larg vendit të ngjarjes, ndërsa dyshohet se një person tjetër i ka ndihmuar dy autorët të largohen nga aty në drejtim të Elbasanit. Nga kamerat e sigurisë, mjeti ku ishin autorët është ndjekur deri në një farë vendi në autostradë, por më pas është “zhdukur”. Mjeti ka devijuar në disa rrugë fshatrash, ku nuk ka pasur kamera sigurie.

Tiranë/Informacion shtesë

Në vijim të kontrolleve të pandërprera dhe të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 17.04.2025, në Lundër, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një automjeti me të cilin qarkullonin 4 shtetas, shërbimet e Policisë, ditën e sotme, kanë gjetur në afërsi të fshatit Fikas, Mullet, një motomjet të djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Një tjetër detaj i ri është mësuar lidhur me ngjarjen. Gjatë kohës që atentatorët kanë nisur të qëllojnë në drejtim të makinës “G Class” që drejtohej nga Arenc Stafa dhe brenda ishin edhe 4 fëmijët, plumbat kanë kapur edhe një makinë tjetër që ishte në lëvizje paralel me mjetin që ishte në shënjestër. Makina ka marrë një plumb dhe drejtuesi i saj është larguar menjëherë nga vendngjarja prej frikës, por edhe pse ishte duke u larguar ka njoftuar Policinë e Shtetit. Edhe pse u godit nga plumbat, fatmirësisht për të nuk kishte asnjë lëndim.

Ndërkohë hetimet vazhdojnë për të zbuluar lidhjen mes atentatit të Tiranës tek i cili mbetën të plagosur dy fëmijët e pronarit të “Pelikan Security” dhe vrasjes së babait të Roan Brahimit, Gjovalin Prendit. Si fillim u mendua se shënjestër e atentatit në Tiranë ishte gruaja e parë e të ndjerit Roan Brahimi. Por nuk përjashtohet mundësia që atentati të ketë lidhje edhe me vetë pronarët e kompanisë së sigurisë fizike, ndaj edhe kjo pistë nuk është përjashtuar.

Si ndodhi ngjarja në Tiranë?

Djali i Vesel Demirajt, pronar i kompanisë së sigurisë fizike “Pelikani”, po kthehej në shtëpi me vëllain dhe një mikun e tyre, pasi festuan ditëlindjen e tij të 11-të në një pistë me gara makinash në Pjezë të Shijakut. Për t’i marrë nga vendi ku edhe po festonin shkoi Arenc Stafa, shofer i familjes. Kur makina iu afrua mbikalimit të Farkës, ndaj tyre u qëlluan breshëri plumbash. Shoferi Arenc Stafa, i plagosur ka mundur të manovrojë dhe është përplasur pranë një lokali të njohur në zonën e Lundrës. Por autorët e kanë ndjekur dhe kanë qëlluar. Si pasojë e plumbave të gjithë u plagosën, por në gjendje të rëndë janë dy vëllezërit, 11 dhe 17 vjeç janë nisur për Itali pasditen e së premtes për mjekim të specializuar pasi nuk e kanë kaluar rrezikun për jetën./

Advertisement