Bota
Athina paralajmëron aksion diplomatik për “provokimet nacionaliste” në Ballkan
Mbrëmjen e djeshme në versionin anglisht të gazetës konservatore greke, “Kathimerini” është shfaqur një editorial i shkurtër nën titullin: Roli i Perëndimit. Teksa vë në dukje faktin se aderimi në “familjen perëndimore” ka disa kërkesa specifike, drejtuesit e gazetës nënvizojnë se i takon liderëve europianë dhe të SHBA që: “të bëjnë këto terma të qartë për ata që ende peshkojnë në ujërat e turbullta të nacionalizmit të shekullit të shkuar”
Sipas të njëjtit editorial Ballkani mbetet një çështje që e shqetëson Perëndimin për faktin se ndodhet në kryqëzimin e një lufte në Europë.
Mesazhi shkon patjetër për Shkupin zyrtar dhe lodrat e presidentes së re që nuk pranon të përmendë emrin kushtetues të vendit të vet, që u korrektua pas Marrëveshjes së Prespës. Por nuk mund të mos ketë aty edhe një paralajmërim për Shqipërinë, që ka ngritur një Flamur nacionalizmi së fundmi duke provokuar diçka që nuk gjen shpjegim racional në marrëdhëniet mes dy vendeve.
A do të mundet Greqia të ngrejë një ndjeshmëri diplomatike në Perëndim për shqetësimet e veta me dy fqinjët e vet? Kjo mbetet ende për t’u parë, por nga një optikë strikt e taktikës, qëndrimet e presidentes maqedonase japin material që të dyja çështjet të bashkohen nën emëruesin e nacionalizmit për të kërkuar mandej shqyrtimin e tyre si çështje europiane.