Connect with us

Aktualitet

Athina zyrtare: Çështja Beleri, shkelje e qartë e prezumimit të pafajësisë

Diplomacia greke ka reaguar në lidhje me intervistën e kryeministrit Rama dhënë për televizionin publik ERT, kryesisht për çështjen Beleri, marrëdhëniet greko-shqiptare dhe minoriteti grek në Shqipëri. Ministri i Jashtëm Giorgos Gerapetritis, në një deklaratë për gazetarët grekë pas pjesëmarrjes së tij në takimin informal të Ministrave të Jashtëm të BE-së “Gymnich” në Toledo, ka vënë në dukje se është diskutuar edhe çështja e kryetarit të Bashkisë së Himarës. Ai është shprehur se pavarësisht nga çështja e vendimeve gjyqësore, këtu shtrohet çështja e paraburgimit që e pengon Fredi Belerin të marrë detyrën. Ministri i Jashtëm nënvizon ndër të tjera se kjo është një shkelje e qartë e prezumimit të pafajësisë, e shtetit të së drejtës, e të drejtave politike të tij dhe të qytetarëve të Himarës që e zgjodhën atë.

“Çështja e mbajtjes së përkohshme në mënyrë të padrejtë të Fredi Belerit, dhe që pengon betimin e tij si kryetar i Bashkisë së Himarës, tashmë është ngritur nga Ministria e Jashtme, nga unë, në të gjitha forumet e mundshme. Të gjithë ministrat e vendeve anëtare të BE-së, përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Stoltenberg, janë informuar personalisht. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian gjithashtu janë informuar në mënyrë të plotë“.

“Pata mundësinë të bëja një diskutim të gjerë kokë më kokë me komisionerin përgjegjës për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, me të cilin ngritëm çështjet e Ballkanit Perëndimor. Greqia, siç e dini, ka marrë iniciativën për të përshpejtuar rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt familjes evropiane. Dhe 20 vjet pas deklaratës historike të Selanikut, Greqia do të jetë gjithmonë mbështetje për këto vende sa i përket perspektivës së tyre evropiane.

Sidomos për çështjen e z. Beleris, dua të theksoj se, pavarësisht nga çështja e vendimeve gjyqësore, pavarësisë së drejtësisë shqiptare, këtu shtrohet çështja e paraburgimit që e pengon atë të marrë detyrën. Kjo është një shkelje e qartë e prezumimit të pafajësisë, e shtetit të së drejtës, e të drejtave politike të tij dhe të qytetarëve të Himarës që e zgjodhën atë.

Dhe dua të theksoj se kjo çështje, veçanërisht betimi dhe marrja e detyrës nga z. Beleris, nuk ka të bëjë me funksionin gjyqësor në Shqipëri, por është thjesht një çështje vullneti politik, nga ana e qeverisë shqiptare. Dhe për këtë arsye, Greqia do të vazhdojë të shfrytëzojë çdo mundësi, në mënyrë që të mundësohet betimi i z. Beleri si kryetar bashkie dhe të shprehet në mënyrën më të mirë vullneti i banorëve të Himarës, ashtu siç erdhi përmes zgjedhjeve të saj bashkiake të 14 majit”, përfundon ministri i Jashtëm grek

Advertisement