Shkrime
Aty ku i dhemb më shumë/ SHBA godet dhe detyron Serbinë të njohë Kosovën
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, u duk se “mori kusuret” e Aleksandër Vulin, njeriut të tij të besuar, kur tha se sanksionet e vendosura ndaj drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), ishin “përgjegjësi e tij”. Megjithatë, “kusuret” duket se do t’i vuajë në kurriz i gjithë vendi, pasi pas “ndëshkimit” të SHBA-së, mund të fshihen pasoja edhe më të rënda.
Mesa duket, ka ardhur koha që Serbia të paguajë për lidhjet e afërta, madje edhe miqësitë me Rusinë, që ka trazuar një botë të tërë. Dhe SHBA po e godet Beogradin, “aty ku i dhemb më shumë”, tek integrimi europian, i cili për një sërë shkaqesh, përfshirë edhe “bëmat” e Vulin, ka mbetur dhe do të mbetet për shumë gjatë “në vend numëro”.
Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj Vulinit më 11 korrik. Ai dyshohet se është përfshirë në afera korruptive dhe trafikim të drogës si dhe për lidhje me Rusinë. Sipas SHBA-së, Vulin është përfshirë në krim të organizuar transatlantik, në operacionet joligjore narkotike, në keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe se ka “avancuar” korrupsionin brenda institucioneve qeverisëse serbe. Vetë Vuçiç tha se arsyet e sanksioneve ndaj Vulin “nuk janë krimi, por marrëdhënia e tij me Federatën Ruse” dhe u tregua “kokëfortë” duke mos pranuar ta shkarkojë Vulinin.
Sakaq, ndonëse DASH ka theksuar se këto sanksione janë ndaj individit, jo Serbisë, ka shumë deklarata dhe indikacione, që tregojnë se diçka fshihet përtej asaj që zgjedh Amerika të tregojë. Së fundmi, Senatori amerikan Chris Murphy tha se nëse Serbia dëshiron vërtet një të ardhme evropiane, nuk mund të ketë një shef të inteligjencës që komunikon hapur me Rusinë.
Senatori gjithashtu shtoi se SHBA-ja ia ka bërë të qartë Serbisë se do të ketë pasoja nëse vendosin të mos i bashkohen sanksioneve dhe vazhdojnë të përfshihen ende në aktivitete sekrete me rusët.
Moska nga ana tjetër, beson se është ky është “një presion tjetër ndaj Serbisë” për t’u larguar nga Rusia dhe, siç thonë ata, për të hequr dorë nga “politika e saj parimore që ajo ka adoptuar që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë” dhe të detyrohet të vendosë sanksionendaj Rusisë, të cilat Serbia ka arritur t’i shmangë për gati një vit e gjysmë.