Kosova
Austriaku akuzon BE-në për Kosovën/ Gabimi i madh sipas eurodeputetit
Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka thënë se vendosja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës ka qenë e gabuar dhe se duhet të ketë përpjekje për tejkalim të tyre.
Sipas tij, të njëjtat po bllokojnë shumë zhvillime brenda Kosovës, në fushën e arsimit, ekonomisë dhe shëndetësisë. Po ashtu, Mandl tha se ndërmjetësimi i dialogut Kosovë-Serbi nga Bashkimi Evropian duhet të jetë më i mirë dhe se do të angazhohet për një gjë të tillë.
“I takon partnerëve brenda dialogut që të diskutojnë siç duhet dhe të arrijnë rezultate, por moderimi nga ana e BE-së mund të jetë më i mirë dhe duhet të jetë më i mirë dhe natyrisht, sa më shpejt të jetë e mundur, duhet të bëhet më i mirë. Unë do të punoj në mënyrë parlamentare mbi rekomandimet për Komisionin Evropian për të vendosur një moderim më të mirë për këtë proces”, tha eurodeputeti.
Krahas kësaj, Mandl nënvizoi se Kosova duhet të angazhohet më shumë në forcimin e partneritetit me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Mendoj se çdo parti politike në Kosovë, pa marrë parasysh pozitën apo opozitën, çdo person i përkushtuar ndaj demokracisë, sundimit të ligjit, dinjitetit njerëzor, lirisë, për Kosovën dhe në emër të Kosovës, dhe në interes të popullit të Kosovës, duhet të forcojë lidhjet me të gjithë miqtë dhe partnerët e Kosovës në mbarë botën. Gjëja pozitive për Kosovën është se ka shumë miq dhe partnerë në mbarë botën. Të forcosh lidhjet nuk do të thotë vetëm të komunikosh, nuk do të thotë vetëm të jesh i përgjegjshëm, por do të thotë gjithashtu të jesh i besueshëm në çdo proces… Unë do të vazhdoj t’i rekomandoj çdo pushteti, pushteti politik apo shoqërisë civile dhe të gjitha fuqive të tjera brenda Kosovës që të forcojnë lidhjet me partnerët, veçanërisht në Evropë, por në mbarë botën”, shtoi Mandl.
Ndërkaq, ai gjithashtu potencoi angazhimin e tij si deputet në Parlamentit Evropian në kërkesat ndaj Komisionit Evropian për ndryshim të politikave në Ballkanin Perëndimor.