Connect with us

Shkrime

Autokrati Vuçiç, i toleruar nga BE dhe SHBA vetëm për një arsye

“Një artist i shkathët i mbijetesës që me sukses, po rri i balancuar mes Perëndimit dhe Rusisë. Një autokrat që të vetmen ATU që ka për të qëndruar në pushtet, është zgjidhja për Kosovën. Nacionalist, instinktet politike të të cilit u farkëtuan në epokën e Sllobodan Millosheviçit” – Këto janë cilësimet që përdorin më së shumti mediat perëndimore për të përshkruar presidentin Aleksandër Vuçiç,  gjatë krizës paszgjedhore në Serbi.

Në një analizë të portalit evropian ‘Politiko’, thuhet se Vuçic balancon marrëdhëniet me Perëndimin dhe lidhjet e përzemërta me Kremlinin, me vlerësimin se Presidenti i Serbisë “do të mbetet figura qendrore’ prej ku  diplomacia e SHBA-së dhe BE-së në Ballkanin Perëndimor, kanë besim veçanërisht në përpjekje për të shmangur një shpërthim serioz në Kosovë”.

Gazeta franceze ‘Le Monde’ ka shkruar se “nën kërcënimin e heqjes së mundësive të hyrjes së vendit të tij në Bashkimin Evropian, presidenti Aleksander Vuçiç, i cili fitoi zgjedhjet me parregullsi të rënda, refuzon të mbështesë sanksionet kundër Rusisë dhe nuk e ka braktisur ambicien e tij për ta rikthyer Kosovën nën kontrollin e Serbisë”.

Gazeta e Parisit vlerëson se presidenti serb “shpreh admirim për ish-diktatorin Slobodan Millosheviç” dhe shton se evropianët kanë besuar prej kohësh se lidhjet tregtare të Serbisë me BE-në dhe zhvillimi ekonomik i vendit më në fund do të mbizotërojnë mbi mesazhet nacionaliste të Vuçiçit.

E përjavshmja gjermane ‘Die Zeit dhe ‘Deutsche Welle’ në edicionet e tyre online e quajnë presidentin serb, një “artist të shkathët të mbijetesës”, me vlerësimin se “sa më gjatë Vuçiç synon të qëndrojë në pushtet me ndihmën e BE-së dhe Gjermanisë, aq më qartë populli serb do largohet gjithnjë e më larg nga Europa”

“Mënyra se si u zhvilluan zgjedhjet e fundit në Serbi treguan rënien e demokracisë në vend dhe BE-ja nuk mund të qëndrojë neutrale përballë provokimeve dhe tendencave autoritare të presidentit Vuçiç. Shumë mendojnë se Serbia prej shumë kohësh është kthyer pas në vitit 1990 dhe se ora është kthyer në epokën e ish-presidentit dhe të fortit Sllobodan Millosheviç” – shkruajnë disa media në Bruksel

Në një artikull për demonstratat në Serbi pas zgjedhjeve, manipulimet zgjedhore dhe aftësinë e Vuçiçit për t’u paraqitur në Bruksel si zgjidhje për Kosovën, jo si problem, e përjavshmja gjermane ‘Zeit’  thekson se “atuti i Presidentit të Serbisë është zgjidhje për Kosovën”, prandaj “Brukseli është në një qetësi te pazakontë kur bëhet fjalë për manipulimet në zgjedhjet në Serbi”.

Gazetari i ‘Zeit’ shkruan se nëse Vuçic do t’i hapte rrugën pavarësisë së Kosovës, do humbiste një pozicion kyç në sjelljen e Brukselit.

“Kjo është arsyeja pse ai luan në kohë, teksa deri më tani nuk ka bërë ndonjë lëshim kyç përsa i përket Kosovës” – shkruan gazetari i të përjavshmes gjermane.

Gazeta britanike  “The Guardian” e quajti Vuçiçin “një nacionalist autokratik, instinktet politike të të cilit janë farkëtuar në epokën e Millosheviçit”.

Në një artikull të saj vlerësohet se Vuçiç po përdor gjithashtu fuqinë dhe ndikimin e tij për të nxitur mosmarrëveshje në Ballkanin Perëndimor, ku Beogradi mbështet fushatat secesioniste të serbëve etnikë.

“Presidenti autoritar i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është një nga politikanët më të aftë në Ballkan ”–thotë nga ana tjetër ‘Washington Postt” në një koment editorial.

Rusia është një hajmali e fuqishme në politikën serbe dhe Vuçiç e ka përdorur për vite me radhë. Shumë serbë ndihen të afërt me rusët ortodoksë dhe e shohin Moskën si një mbrojtës të fuqishëm, veçanërisht që kur NATO bombardoi Beogradin në vitin 1999, kujton gazeta amerikane.

“Duke nxitur pakënaqësi ndaj Perëndimit të supozuar të pabesueshëm dhe duke u anuar me Moskën, Vuçiç shënon pikë në shumicën nacionaliste, ndërsa i përshkruan kundërshtarët e tij demokratikë si marioneta të interesave të huaja,” – vë në dukje ‘Washington Post’, duke shtuar se

“Vuçic, megjithatë, privatisht i ka siguruar disa herë bashkëbiseduesit e tij perëndimorë se po lufton që ta afrojë kombin e tij të pabindur me Bashkimin Evropian të cilit i përket dhe se ai është i vetmi partner i tyre i besueshëm”

 

Advertisement