Bota
Autori i sulmit në Magdeburg priste të vdiste, zbulohet testamenti në makinë
Agresori që mësyu me makinë në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, duke lënë 5 të vdekur dhe mbi 200 të plagosur, priste që të vdiste gjatë sulmit. Kjo kuptohet nga hetuesit pasi Taleb al-Abdulmohsen, kishte shkruar një testament, që e kishte lënë në makinën, me të cilën kreu sulmin.
Sipas Der Spiegel, në testament ai kishte deklaruar se gjithë pasurinë e tij ia linte Kryqit të Kuq gjerman, i cili, me mbi 4.5 milionë anëtarë, është organizata e tretë më e madhe e Kryqit të Kuq në botë.
Megjithatë, Taleb al-Abdulmohsen nuk la asnjë mesazh politik në testament.
Më parë, ai kishte përmendur vdekjen në rrjetet sociale, ku ishte shumë aktiv. Për shembull, në muajin maj të këtij viti, në platformën ‘X’, kishte shkruar se priste “fundin e jetës së tij këtë vit”. “Do të kujdesem që drejtësia të triumfojë me çdo kusht”, kishte deklaruar ai.
Taleb al-Abdulmohsen kreu sulmin fatal në Magdeburg duke përdorur një BMW të errët, të marrë me qira nga një agjenci veturash. Sipas revistës, ai e kishte marrë me qira automjetin që më 11 dhjetor, më shumë se një javë para sulmit.
Një ditë pas marrjes së BMW-së, ai dha një video intervistë për një blog amerikan islamofob nga hoteli Maritim në Magdeburg, edhe pse ai vetë jetonte dhe punonte në Bernburg, rreth 45 kilometra në jug të Magdeburgut.
Gjatë intervistës, Al-Abdulmohsen shprehu admirim për miliarderin amerikan, Elon Musk, mbështetës i Donald Trumpit, si dhe për teoricienin konspirativ të së djathtës ekstreme amerikane, Alex Jones.
Në intervistë, ai pretendon se Gjermania po lejonte islamistë nga Siria të hynin në vend dhe po “shkatërronte jetët e ish-myslimanëve nga Arabia Saudite”.
Sipas tij, policia gjermane po i “përndiqte këta njerëz në kuadër të një operacioni sekret mbarëbotëror”, të ngjashëm me ato të kohës së nacional-socializmit.
Agjencia DPA, duke iu referuar burimeve anonime, raportoi se Talib Ahmad Muhsin vuante nga një sëmundje e rëndë mendore. Për këtë arsye, është më pak e mundshme që çështjen ta marrë nën hetim Prokuroria Federale në Karlsruhe, e cila është përgjegjëse për rastet që lidhen me sigurinë shtetërore dhe krimet me motive politike.