Kronike
Autori i vrasjes së Renato Hoxhës, u largua me makinën e tij! Reagon Eris Mehmetaj, ja çfarë deklaron

Eris Mehmetaj, i dyshuar se ka ndihmuar autorin e vrasjes se Renato Hoxhajt, është lënë në burg nga Gjykata e Vlorës. Ai akuzohet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjes së Renato Hoxhës”.
Mehmetaj përpara oficerëve të Policisë, ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen e Renato Hoxhës në Vlorë më 27 prill. Ai ka pranuar se makina është në pronësi të tij, por ka shtuar se automjetin ia kishte lënë për përdorim një miku të tij, pasi ky ia kishte kërkuar, dhe se nuk ka dijeni se për çfarë është përdorur më pas makina. Emri i “mikut” të tij nuk është bërë publik dhe po verifikohet nga hetuesit.
Mehmetaj nga Tropoja u arrestua në Tiranë pas hetimit të Policisë së Vlorës, e cila identifikoi makinën me të cilën lëvizi vrasësi. Ai rezulton mik i Roan Brahimit, i cili u ekzekutua në maj 2024 në Greqi. Në cilësinë e provës materiale, Mehmetajt i është sekuestruar një celular, brenda të cilit janë gjetur të dhëna të vlefshme për hetimin.
Renato Hoxhaj u ekzekutua me katër plumba mëngjesin e 27 prillit. Viktima ka marrë dy plumba në kokë dhe dy në trup. Partnerja e 58-vjeçarit, Klodiana Rakipaj ka deklaruar para grupit hetimor se nuk di që Hoxhaj të ketë pasur konflikte. Viktima nuk ka pasur precedentë të mëparshëm penalë, ndërsa në zonë njihej si njeri jo problematik. Autori i ngjarjes rezulton ende në kërkim. Vrasësi është pikasur nga kamerat e sigurisë, megjithëse është totalisht i paidentifikueshëm pasi për të konfuzuar autoritetet ka përdorur maskë silikoni për fytyrën dhe një bark artificial.

