Connect with us

Kosova

Avionë dhe dronë spiun mbi Serbi, Vuçiç numëron ushtarët dhe jep alarmin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Beogradi po mbështet në bashkëpunimin e mirë me trupat e KFOR-it dhe NATO-s, në mënyrë që të kontribuojë në stabilizimin e situatës në Kosovë. Ai shtoi se në rajon janë mbledhur forca të mëdha, nga forca të konsiderueshme të vendeve fqinje e deri te një numër i madh i anëtarëve të NATO-s në Kosovë dhe se ka shumë sfida në aspektin e sigurisë.

“Kemi shumë sfida, forca të mëdha janë mbledhur në rajon për arsye të ndryshme, nga forcat e rëndësishme të vendeve fqinje e deri te numri i madh i anëtarëve të NATO-s në Kosovë dhe Metohi për momentin, është 4534. Ne besojmë në bashkëpunimin e mirë me KFOR-in dhe Trupat e NATO-s dhe besoj se do të kontribuojmë në stabilizimin e situatës në Kosovë dhe Metohi”, u tha Vuçiq gazetarëve pas seancës së kolegjiumit të zgjeruar të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm në kazermën “Banjica 2”.

Sipas Vuçiqit, takimi është mbajtur për të analizuar të gjitha mangësitë dhe çfarë duhet korrigjuar në Ushtrinë Serbe, si dhe për të analizuar kërcënimet e sigurisë dhe situatën në rajon.

Vuçiq theksoi se një nga konkluzionet nga takimi është se nuk janë të kënaqur me numrin e njerëzve në ushtrinë serbe, veçanërisht në veri të Serbisë, në Beograd dhe Vojvodinë dhe shtoi se përveç trupave të NATO-s në Kosovë, për momentin janë edhe 1500 ushtarë të NATO-s në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilët janë përforcuar me diçka që është e re, përkatësisht rezervat strategjike të ngritura nga BE-ja.

Presidenti i Serbisë po ashtu ka thënë se Forcat e Armatosura të Serbisë kanë vërejtur veprimet e aeroplanëve dhe dronëve me pilot dhe pa pilot me synime zbuluese në drejtim të Serbisë pa kaluar kufirin.

Ai ka treguar gjithashtu se “bajraktarët” shqiptarë janë vërejtur duke u ngritur nga drejtimi i Gjakovës më 5 dhe 20 qershor në lartësinë 5800 metra me qëllim zbulimin e pozicioneve të ushtrisë serbe.

Siç tha ai, Serbia do të vazhdojë të punojë më shpejt, më shumë dhe më mirë dhe të jetë shumë më e qartë në mesazhin e frenimit tëndonjë agresori të mundshëm dhe theksoi se edhe fabrikat e dedikuara për luftën do të duhet të punojnë më shumë dhe të mos merren me politikë.

Presidenti i Serbisë tha se Serbia dëshiron paqen dhe gjithmonë do ta dëshirojë dhe do ta mbrojë atë.

“Por, për të qenë në gjendje të ruajmë paqen, ne duhet të kemi një ushtri mjaft të fortë që do të pengojë çdo armik të mundshëm” – deklaroi Vuçiç.

Advertisement