Connect with us

Kosova

Avokati i Mustafës ‘plas bombën’ në Hagë

Julius von Bone, avokati i ish komandantit të UÇK Salih Mustafa, i cili ndodhet në Hagë, i akuzuar për krime lufte, ka deklaruar se Zyra e Prokurorit të Specializuar po përpiqet të ndryshojë dëshmitë e të ashtuquajturve dëshmitarë si dhe numrin e ndërtesave në të cilat pretendohet të jenë mbajtur peng persona, ndaj të cilëve janë kryer tortura. Sipas tij, nëse trupi gjykues do ta konsiderojë të drejtë shqetësimin e ngritur, atëherë mbrojtja do kërkojë të dëgjohen përsëri dëshmitarët e prokurorisë.

Mbrojtja e Salih Mustafës ka thënë se aktakuza e konfirmuar në këtë çështje është e bazuar mbi faktin që ka qenë vetëm një ndërtesë në të cilën janë ndaluar njerëzit, ajo në Zllash, ndërsa në dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria Speciale, përmenden disa ndërtesa dhe sipas tij nuk është e qartë kush dhe në cilin objekt ka qëndruar. Sipas Julius von Bone, prokuroria po përpiqet t’i ndryshojnë dëshmitë në mënyrë që ato të përshtaten me argumentet e tyre.

Më 13 shtator, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka kërkuar dënimin me 35 vjet burg për Salih Mustafën. Në deklaratën përmbyllëse të prokurorisë, thuhet se ish komandanti i UÇK-së akuzohet për trajtim mizor, torturë dhe vrasje, akte këto, të cilat sipas të drejtës ndërkombëtare konsiderohen si krime lufte. Të akuzuar për krime lufte gjithashtu janë ndaluar dhe ndodhen në hagë në pritje të përfundimit të gjykimit edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Këta të fundit kanë kërkuar lirinë, por kërkesat e tyre janë hedhur poshtë.

 

 

 

Advertisement