Connect with us

Politike

Avokati i njohur trondit me deklaratën: Berisha do dënohet me burgim të përjetshëm për vrasje

Avokati i njohur, Idajet Beqiri, i cili bëri të mundur hapjen e dosjes së “21 Janarit”, ku gjatë protestës së opozitës së kohës, mbetën të vrarë në vitin 2011 4 qytetarët, ka nxjerrë detaje të forta. Në nje intervistë për gazetën “SOT”, zoti Beqiri theksoi se kreu i SPAK, Altin Dumani me hetimin që ka hapur do arrijë të dënojë me akuzën për vrasje ish-kryeministrin Sali Berisha. Sipas tij, në këtë mes përgjegjës është edhe ish-presidenti Ilir Meta, pasi vrasjet i kanë planifikuar bashkë.

Ndërkohë avokat Beqiri gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, shpjegoi hapat që do ndiqen nga SPAK për këtë çështje, ku theksoi se fillimisht do mblidhen provat dhe më pas do të thërriten personat përgjegjës. Sakaq, ai theksoi se çështja është e rezervuar dhe se nuk do të ketë vonesa.

Avokat Beqiri, në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ka nisur puna zyrtarisht për zbardhjen e një prej krimeve më të rënda në historinë e vendit, 4 vrasjet shtetërore të 21 janarit 2011. Rajmonda Nika dhe Mark Nika, bashkëshortja dhe xhaxhai i Aleks Nikës, i vrarë nga plumbat e gardës 21 janarin e vitit 2011, u futën dje në zyrat e SPAK për të dhënë dëshminë për herë të parë, këtë herë me shpresë se më në fund do të gjejnë drejtësinë e munguar për mbi 13 vite. Çfarë po ndodh me dosjen e “21 Janarit”?

Hapja e dosjes së ‘21 Janarit’ është falë një pune dhe këmbëngulja nga ana ime për të mbrojtur interesat e familjarëve të viktimave dhe e konsideroj si një fitore të jashtëzakonshme, vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë është një përmbledhje si rrjedhojë e rekursit që bëmë ne, e mos pajtimit tonë me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Ishte fat i madh pas ne rekursin e bëmë në korrik 2023, por na ndihmoi vendimi i Strasburgut ku tashmë për SPAK është ligj dhe vendim i detyrueshëm që bëri të niste dhe hetimet.

Qëndrimi i Dumanit ishte objektiv, pavarësisht gabimit që bëri duke e kaluar këtë kallëzim penal që e bëmë në fillim viti 2023 e duke ia kaluar prokurorisë së Tiranës por tashmë u bind se ka vepruar në kundërshti me ligjin mirëpo tani e ka regjistruar procedimin penal kundër Sali Berishës, kundër Lulzim Bashës dhe kundër Andrea Prendit. Është regjistruar me një akuzë shumë të rëndë , vrasje të cilësuara për motive të dobëta dhe në këtë kuadër kanë nisur hetimet.

-Është vonë?

Shumë vonë, kanë kaluar 13 vite dhe pandëshkueshmëria në këtë vend ka qenë normë.

-Kush janë hapat që do ndiqen nga SPAK për këtë çështje?

Procedimi është regjistrua me emër. Akuzohen për ‘vrasje nga pakujdesia’, ‘shpërdorim detyre’, ‘pengim në zbulim të së vërtetës’. Cila është thirrja? Nëse bën një kallëzim penal dhe kallëzimi gjithmonë niset me letër. Sa merret kallëzimi kur regjistrohet, thirrjen kallëzuesit dhe u merret deklarimi. Sot kjo procedurë po ndiqet. Pasi kanë bërë kallëzimin me shkrim, ata do dëshmojnë. Pastaj nis hetimi, provat, vazhdon procesi. Pas kësaj do merren provat. Unë vlerësoj që fillimisht SPAK do merret me prova dhe më pas do shkojë tek personat që konsiderohen përgjegjës. Provat janë të shumta, por jam i sigurt që SPAK nuk do e nisë mbrapsht.

Në planin që ka bërë SPAK, do thërrasë Bamir Topin që ka bërë një libër për ‘21 janarin’, do thërrasë ish-prokurorin e përgjithshëm, drejtorin e policisë. E këshillova Rajmonda Nikën që nuk duhet të jepte deklarime, pasi jemi në fazën e hetimeve. Nuk duhet luajtur me provat. Sa të fillojë hetimi i kësaj çështjes, do të shihe provat e tjera. Do pritet edhe marrja e dosjes nga Prokuroria e Tiranës.

Do merret prej SPAK dhe do shihet nëse ka bazë që ndaj këtyre personave të aplikohet masa të sigurimit personal, qoftë për Sali Berishën apo Lulzim Bashën. Hetimi i kësaj çështjeje, si kohë maksimale e regjistruar është 2 vite. Duke qenë se është një çështje thuajse e rezervuar, çështja do të jetë e shpejtë dhe nuk do të ketë vonesa.

 Ndërkohë familjarët e viktimave thonë se Berisha i prishi provat dhe kjo dëshmon që është një pranim fajësie ku ish-kryeministri ka pranuar se vrasjet janë bërë nga shteti. Keni një koment?

Kjo është një çështje shumë e provuar, tej çdo dyshimi të arsyeshëm pasi mjafton të lexohet vetëm vendimi i Gjykatës së Lartë dhe aty gjen provat 100% për fajësinë si urdhërdhënës të Berishës dhe Lulzim Bashës dhe urdhëruesve të tjerë. Hetimet duhet të zgjerohen në aspektin e një roli që ka patur edhe Ilir Meta në këtë krim shtetëror. Një ndër arsyet e forta që i çoi ato qytetarë të marshojnë drejt Bulevardit ishte afera e Ilir Metës i cili u zu duke vjedhur hapur me kamer e me zë, duke vjedhur hapur 700 mijë euro. E për këtë jo vetëm që ishte prova materiale, videoja por edhe ish-ministri i tij, Dritan Prifti.

Ilir Meta ka bashkëpunuar me Berishën që ta ekzekutonin planin e paramenduar duke piketuar vrasjen e katër personave, jo me emra konkret por do vriteshin se nuk bën disa vetë me qëllim që të trembeshin, e të tërhiqeshin nga thirrja e hapjes së kutive pasi ishte vjedhur sovraniteti i qytetarëve. Sali Berisha i ka pranuar vetë krimet me zë e me figurë, ka thënë vetë me zë e figurë se do vrisja dhe 300 të tjerë. Nga ana tjetër tha se janë kamerat e serverat janë të paprekur, në një kohë që i kishte prekur, i kishte zhdukur ato materiale. Një kryeministër që nuk ka dorë në krim, që nuk është organizator, nuk është ka dorë në krim, nuk ka pse të zhduk provat dhe nuk pengon masat e arrestit që jep organi gjyqësor që është ligj dhe t’i thotë Policisë mos i ekzekuto e të dekorojë ato njerëz që ishin për tu arrestuar.

Ditën që ka ndodhur ngjarja e 21 Janarit, Berisha ka patur vetë në dorë kallashnikov, e nuk dihet a me grusht apo me tytën e kallashit plagosi komandantin e Gardës, Ndrea Prendin, i cili kur hyri në zyrën e kryeministrit hyri tamam e kur doli, doli me syrin daulle të ënjtur. 21 Janari është krim shtetëror e të dënohen me burgim të përjetshëm pasi pikërisht ata që paguhen me taksat e shqiptarëve, janë shërbëtor të popullit dhe jo vrasës të tij.

– Ish-ministri Ilir Beqaj ka apeluar masën e arrestit me burg dhe ka kërkuar ndryshim mase. Beqaj kërkon heqjen e vendimit të Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke i lënë një masë më të butë dënimi. Sipas avokatëve të Ilir Beqajt, nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore për masën shtrënguese kaq të rëndë. Si ju duket kjo lëvizje?

Problemi është që SPAK, ka dosjet e aktet në dorë e derisa ka shkuar në këtë masë sigurie do të thotë se dyshimi për veprat penale ai akuzohet, janë të arsyeshme. Deri tani di që ka patur akuzën për shpërdorim detyre, e tashmë nuk e di se çfarë akuze do të jetë kjo. Është e habitshme dhe të bën përshtypje se si nga njëra anë në pozicionin e ministrit ti je shkarkuar, pasi nuk ke drejtuar siç duhet e nga ana tjetër, pranon një tjetër post edhe më të ulët, me çdo kusht duan pas mbylljes së karrierës politike të shkojnë në vende ku ka lekë. Është çmenduri pasi turren pas lekut derisa një ditë leku iu ha kokën.

Intervistoi: Rigels Seliman

Advertisement