Shkrime
Axhenda e Serbisë, rrezik për stabilitetin e Ballkanit – Nga Taulant Elshani
Ndryshimet e mëdha në peizazhin gjeopolitik global po ndikojnë shumë edhe në rajonin e Ballkanit. Serbia është padyshim nyja kritike e kësaj dege ndryshimesh, duke artikuluar hapur idenë politike për revizionizëm përmes programit “Bota Serbe” dhe duke manifestuar qartë gatishmërinë për të rrezikuar paqen në rajonin juglindor të Ballkanit, shoqëruar me retorikë të ashpër nacionaliste dhe agresion të hapur kundër Kosovës, si dhe me pengesa të vazhdueshme në Bosnje-Hercegovinë dhe Mal të Zi.
Në kontekstin politik, revizionizmi është kundërshtim dhe sfidë e hapur ndaj historisë, sistemeve politike apo normave ndërkombëtare. Në këtë logjikë definicioni, duke mos e njohur realitetin në shtetin e ri të Kosovës, duke gërryer stabilitetin institucional të Bosnje-Hercegovinës dhe duke ndërhyrë në punët e brendshme të Malit të Zi, Serbia po sfidon hapur rajonin e Ballkanit.
Një shtysë e fuqishme për riformulimin e politikës serbe ballkanike ka qenë padyshim agresioni i Federatës Ruse në Ukrainë si dhe paralajmërimet e Kinës për pushtimin e Tajvanit. Në veçanti, pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës në kuptimin e sigurisë globale është një tërmet shkatërrues, sepse padyshim që paralajmëron epokën e revizionizmit, pra të ndryshimit të vazhdueshëm të kufijve me forcë.
Në kuptimin ideologjik shtetëror, revizionizmi modern serb përfaqësohet me “Botën Serbe”. Ky slogan trumbetohet fuqishëm në diskursin publik në Serbi, nga politikanë të lartë të Beogradit zyrtar si dhe nga mediat e kontrolluara nga shteti.
Fraza “bota serbe” filloi të përdoret gjerësisht diku nga mesi i viteve 2010 është vazhdimi i politikës zyrtare për zgjerim territorial, i ka rrënjët në programin politik të emëruar “Naçertanije”, i formuluar nga ish-shtetari dhe kryeministri serb Ilija Garašanin, ku ai elaburonte idenë e Serbisë së Madhe që do të thithte të gjithë serbët e rajonit.
Për të kuptuar thelbin e gjendjes aktuale të Serbisë, duhet të thellohemi në punët e brendshme të ndërlikuara që formojnë peizazhin e saj politik, jetën politike, nivelin e zhvillimit, marrëdhëniet me vendet e rajonit, pozicioni i saj aktual në kontekstin e aspiratave për integrim, lufta e brendshme për pushtet, fantazitë nacionaliste si dhe krimin dhe mafien gangrenë.
Aktualisht, ai që dominon jetën politike dhe shoqërore në Serbi, është nacionalizmi primitiv, i cili luan rolin e tubit të oksigjenit që mban gjallë dhe ushqen politikën në Serbi, dhe anasjelltas, politika që mbështet nacionalizmin me premtimin e rivendosjes së “madhështisë” bazuar në mitet mesjetare, duke krijuar kështu një rreth vicioz katastrofik.
Komponenti i dytë i këtij triniteti është padyshim bota e krimit, e cila organikisht është e lidhur me institucionet e shtetit serb. Klanet mafioze mbahen dhe përdoren nga pushteti për sigurimin e avantazhit në politikën e brendshme dhe për forcuar ndikimin e Serbisë në rajon. Ata sigurojnë vota për presidentin Aleksandër Vuçiç, dhe në këmbim marrin mosndëshkim dhe favore biznesi. Në kuptimin e ambicieve rajonale të Serbisë, klanet mafioze funksionojnë si dorë e fshehtë e shtetit serb, si në rastin e sulmit terrorist në Banjskë.
Komponenti i tretë është autoritarizmi i pushtetit politik në Serbi.Vuçiç është aktualisht padyshim piramida e këtij rrjeti kompleks traditash, institucionesh dhe interesash që vepron si pararojë dhe garantues i ambicieve tashmë të njohura të Serbisë për revizionizëm, që në kontekstin ballkanik përbën një ndryshim të dhunshëm kufijsh.
Po a mundet Serbia të ndryshojë me forcë kufijtë politikë të rajonit të Ballkanit?
Serbia ka ndërmarrë përpjekje të konsiderueshme modernizimi për të forcuar kapacitetet e forcave të saj të armatosura dhe aparatit të saj të inteligjencës, duke riafirmuar qartë se është gati të shoqërojë retorikën nacionaliste me forcën ushtarake në terren.
Inkurajimi dhe mbështetja e presidentit të entitetit Republika Srpska në Bosnje, secesionistit ultra-nacionalist Milorad Dodik, loja me kompleksitetin demografik dhe kishën ortodokse serbe në Mal të Zi, si dhe agresioni i hapur dhe sulmi terrorist kundër Kosovës janë indikacionet e para se plani për “botën serbe” nuk është thjesht retorikë, por një ambicie e vërtetë në axhendën e politikanëve në Beograd.
Fuqitë perëndimore duhet t’i marrin shumë seriozisht këto ambicie të Serbisë dhe jo t’i tolerojnë; duke e detyruar Serbinë të pranojë realitetin e ri dhe duke e shtyrë atë drejt demokratizimit të brendshëm. Çdo qasje tjetër do të ishte e gabuar.