Connect with us

Politike

Balla me urdhër të prerë: Makina e parkuara gabim do të largohet me karotrec

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në një dalje për mediat ka njoftuar sot se së bashku më Policinë e Shtetit kanë ngritur një plan masash për të lehtësuar trafikun e rënduar jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera kryesore të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij, Balla paralajmëroi drejtuesi e mjeteve duke u shprehur se shumë shpejt do të ndërhyhet me karoatrec për të zhvendosur makinat e parkuara gabim.

“Ne duam mirëkuptimin e drejtueseve dhe drejtuesve të mjeteve, se makina juaj e parkuar gabim është një problem shumë i madh për të tjerët, të cilëve u ke zënë rrugën, po ashtu dhe një karshillëk i madh ndaj Kodit Rrugor. Numri i madh i masave ditën e djeshme në Tiranë, është një apel publik për reflektim dhe bashkëpunim drejtuar përdoruesve të mjeteve. Policia e Shtetit nuk do ta tolerojë asnjë çast këtë shkelje masive dhe këtë karshillëk. Brenda pak ditësh çdo mjet i parkuar gabim do të largohet nga vendqëndrimi i gabuar me makineri të specializuar të kontraktuar nga Policia Rrugore dhe do të bllokohet”, deklaron ministri.

Balla shprehet se trafiku i rënduar në kryeqytet dhe në qytetet e tjera ka si burim kryesor edhe parkimet e gabuara, ndërsa theksoi se kësaj situate “duhet t’i jepet fund”

“Parkimeve të gabuara vend e pa vend, parkimeve dyshe, treshe mu në mes të rrugës, parkimeve mbi trotuar apo tek korsia e biçikletave etj., do duhet t’i jepet fund. Trafiku i rënduar në kryeqytet dhe në qytetet e tjera ka si burim kryesor edhe parkimet e gabuara, të cilat bllokojnë rrjedhshmërinë e  trafikut”, tha Balla.

Advertisement