Politike
Balla: Spiunët e ish Sigurimit u ngjitën në krye të shtetit
Gjatë fjalës së tij në hapje të sesionit të ri parlamentar kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla u ndal tek çështja despiunizimit të Kuvendit. Balla tha se nuk mund të lejojmë që ish-spiunët e sigurimit të ngjitën në majat më të larta të shtetit.
Balla u shpreh se ligji për dekriminalizimin duhet ndryshuar dhe të përfshihen brenda tij dhe ish-spiunët e sigurimit të shtetit duke iu referuar me fjalën, kriminelë.
Taulant Balla: Çështja e despiunizimit, ngjitja e bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit në të gjitha majat e piramidës shtetërore në Shqipërinë demokratike kërkon një reflektim serioz. Grupi Parlamentar i PS-së ka dorëzuar projektligjet në kuvend. Kjo duhet bërë me urgjencë, që transparenca të jetë për të gjithë. I mirëpresim të trija propozimet e ardhura nga opozita. Por shpresojmë të ketë pjekurinë e duhur për të negociuar. Ka ardhur koha që të shtojmë dhe pjesën që lidhet me përfshirjen e atyre personave që kanë qenë pjesë e strukturave të Sigurimit të Shtetit. Kriminelë janë dhe ata. Ligji për dekriminalizimin, duhet të shtojmë dhe përfshirjen e personave që kanë qenë bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit. Ngritja e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të shtetit në të gjitha majat e piramidës shtetërore kërkon një reflektim nga ana e këtij kuvendit. Ne kemi depozituat 2 nisma ligjore dhe kërkojmë edhe mbështetjen e opozitës. E para ka të bëjë me një barrierë artificiale për verifikimin e atyre që janë verifikuar më parë në komisionet e mëparshme. Ne i mirëpresim propozimet e ardhura nga opozita por duhet të negociojmë.