Shkrime
Ballkan/ Zoti na ruajt nëse hapet PANDORA
Ka sinjale alarmi për Ballkanin dhe dyshime se historia po përsëritet. Nuk është utopi, por një artikull i medias në gjuhën gjermane, Deutsche Welle, shkruan për një situatë tejet të ndërlikuar në Ballkanin Perëndimor dhe rrezikun se një luftë e re mundet të shpërthejë.
Nga retorika e qartë luftëndjellëse e Milorad Dodik në Bosnjë dhe Hercegovinë, deri te lobimi serb për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë, janë thirrje se duhet patur vigjilencë për një përshkallëzim të mundshëm në gjithë Ballkanin, mbi të gjitha, me një situatë tejet të ndërlikuar edhe në veri të Kosovës, ku ka një stanjacion politik momental, por gjithashtu dhe një gjuhë herë herë të rrezikshme drejt përshkallëzimit.
Po çfarë paralajmëron artikulli i Deutsche Welle dhe pse janë ndezur sinjale alarmi në Ballkan? A po përsëritet historia?
Jo rrallë ndodh që të rindizen vatrat e konflikteve në Ballkan. Tani shkas po bëhet një rezolutë e planifikuar në OKB për gjenocidin në Srebrenicë. Politikanët serbë shohin aty një damkosje kolektive të popullit serb. Simbolika është kërcënuese: Milorad Dodik, lideri i serbëve boshnjakë dhe president i Republikës Srpska, pjesës së dominuar nga serbët në Bosnje-Hercegovinë bëri të ditur në prani të përfaqësuesve nga qeveria e Beogradit, se ai “nuk sheh ndonjë kuptim të mbetet në Bosnje”.
Dodik më tej deklaroi se “Ne do të vazhdojmë më tej të pavarur” dhe si gjithmonë ai ripërsëriti, se nuk ka pasur gjenocid në Srebrenicë.
Por tani Ruanda dhe Gjermania kanë sjellë në Kombet e Bashkuara një rezolutë, mbi bazën e së cilës Asambleja e Përgjithshme e OKB do ta deklarojë 11 korrikun, si ditën e përkujtimit ndërkombëtar të gjenocidit në Srebrenicë.
Përfaqësues nga Serbia dhe Republika Srpska janë ngritur ashpër kundër rezolutës pasi ata e shohin si damkosje kolektive të popullit serb.
Irrituese janë po ashtu spekulimet verbale të Milorad Dodik, se si duhet të veprojë me 150.000 të kthyerit boshnjakë, pra ata myslimanë boshnjakë që u dëbuan gjatë luftës në vitet 1992-1995 dhe pas luftës u rikthyen.
Pasi ai deklaroi, se boshnjakët që janë më shumë se 50% e territorit në Bosnje-Hercegovinë duhet të jetojnë në 25% të territorit, ai paralajmëroi, se në rast të pranimit të rezolutës, opcioni i vetëm është ndarja paqësore nga Bosnje-Hercegovina.
“Njerëzit në Republikën Srpska janë të zemëruar dhe nuk do të pranojnë të jetojnë me myslimanët boshnjakë.” – theksoi Dodik……….
Për kryekomandantin e trupave të NATO-s për Europën (SACEUR), gjeneralin Christopher Cavoli, gjendja është serioze. Para kongresit amerikan më 17 prill ai tha: “Situata në Ballkanin Perëndimor është ashpërsuar. Tensionet etnike në Bosnje e kanë potencialin të shkallëzohen.
Republika Srpska, sipas Cavoli, përpiqet të “dobësojë autoritetin shtetëror” dhe marrëdhënien me BE dhe NATO-n dhe njëkohësisht të mbajë lidhje të forta me Rusinë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha, se është “thellësisht i shqetësuar” për vazhdimin e “politikës secesioniste” në Bosnje-Hercegovinë.
Politikania serbe, Ana Brnabic i quajti deklaratat e Cavolit “një mesazh shqetësues” dhe kërcënoi, se “do të krijohej një rast precedent, nëse ata kalojnë rezolutën e Srebrenicës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së pasi ata do të hapin kutinë e Pandorës.
“T’i ruajë zoti pastaj me atë që do të shkaktojnë pas kësaj.” – deklaroi Brnabiç
Tani perëndimi i lirë duhet të marrë masa për të shpëtuar një nga projektet më të suksesshme të paqes që nga Plani Marshall. NATO tregoi në mënyrë impresionuese në Kosovë në shtatorin e vitit 2023, se brenda pak ditësh mund të shuajë një konflikt që rindizet. Perëndimi duhet të veprojë kështu në mënyrë preventive për të shpëtuar Bosnje-Hercegovinën.