Politike
‘Ballkani i Hapur’/ Bushati ironizon Ramën: U zu me Kosovën
Analisti Andi Bushati ka shprehur qëndrimin e tij në lidhje me vendimin e përçuar sot nga kryeministri Edi Rama se “Ballkani i Hapur” ka përfunduar zyrtarisht. Kreu i qeverisë i mëshoi faktit se “Ballkani i Hapur” ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara procesin e Berlinit. Marrë shkas nga qëndrimi i Ramës, analisti ka bërë dy komente ironizuese, duke thënë se qëndrimi i tij sikur nuk ka ndodhur gjë nuk mund të kalohet kollaj, ku në një vorbull është përfshirë edhe qeveria e Kosovës.
“Te zihesh me se paku tre qeveri te Kosoves per Open Balkan dhe pastaj ta shpallesh te vdekur sikur s’ka ndodhur gje. Kete vetem nje njeri qe kerkon deshperimisht fabul per veten mund ta beje”, shkruan ai.
Ironia therëse e tij vijon me një pyetje të Këshillimit Kombëtar, ku janë përgjigjur pozitivisht 95 % e shqiptarëve, të cilët mbështesin “Ballkanin e Hapur”. Pyetja e cila lind krejt natyrshëm, sipas tij, është se çdo të bëhet me të?!
Në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh, që kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.
Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më herët se Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit.
Kurti është shprehur se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal. Sakaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë më herët se “Ballkani i Hapur” nuk është ndërtuar mbi parimet e bashkëpunimit rajonal, dhe se në këtë nismë, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk trajtohen në mënyrë të barabartë.