Connect with us

Rajon

Shefi i Sigurisë së Konferencës së Mynihut trondit: Pa Shqipërinë dhe Malin e Zi, Europa është e pambrojtur

“Vende si Shqipëria apo edhe Mali i zi duhet të bëhen sa më shpejt anëtare të Bashkimit Europian pasi siguria që eksportojnë është jetike për Unionin. Apeli vjen nga një prej ekspertëve më të njohur të sigurisë në Europë, Benedikt Franke, drejtor Ekzekutiv i Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Në një intervistë ekskluzive për Radio Televizionin Shqiptar, zoti Franke kërkon më shumë komunikim mes Unionit dhe vendeve aspirante.

“Besoj se Shqipëria, por edhe Mali i zi meritojnë një lëvdatë të madhe, edhe udhëheqja politike e ka merituar një lavdërim të madh. Por sipas meje nuk është ende mjaftueshëm. Shqipëria, Mali i zi por edhe vende të tjera, duhet të duan të hyjnë në Bashkimin Europian, sa më shpejt të jetë e mundur dhe ato duhet ta bëjnë gjithnjë e më të qartë se pse kjo është diçka e mirë edhe për BE-në. Shumë e kanë kuptuar por jo mjaftueshëm dhe unë besoj se këto vende të rajonit kanë kaq shumë për të ofruar, kanë një kapital njerëzor kaq të mrekullueshëm, të arsimuar shumë mirë, pothuajse njerëz të gatshëm për të punuar. Fatkeqësisht ende në kokat e njerëzve është i ngulitur imazhi i krimit të organizuar dhe mungesa e stabilitetit. Ne e dimë se sa shumë po bëhet por ende nuk po komunikohet sa duhet ajo që po realizohej”, u shpreh zoti Franke.

Nga ana tjetër zoti Franke fton që të përdoret çdo platformë për të rritur shkëmbimet mes palëve dhe për këtë merr si shembull praninë e Shqipërisë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, të cilën e drejton prej vitesh.

“Para disa vitesh do të kisha thënë se çfarë do të sillte një samit i vogël në një port jahtesh në Malin e Zi…por mendimi im ka ndryshuar sepse ne nuk flasim sa duhet me njëri tjetrin, ne nuk shihemi mjaftueshëm, ne nuk shkëmbejmë sa duhet eksperienca me njëri tjetrin, sepse ne jetojmë në flluckat tona të vogla. Ne duhet ti hapemi më shumë njëri tjetrit, duhet të komunikojmë më shumë me njëri tjetrin dhe çdo samit i vogël apo i madh, por sidomos të mëdhenj si ky këtu, luajnë rol të rëndësishëm dhe japin kontribut të madh, por vendet do të duhet të duan ti përdorin ndaj gjej rastin të përsëris ftesat për qeverinë shqiptare dhe atë të Malit të Zi: përdoreni edhe konferencën e sigurisë së Mynihut! Edi Rama është një mik që shihet me mjaft dëshirë në Mynih, ne duam ta shohim edhe më shpesh, duam të shohim edhe më shumë nga ministrat e tij, ne duam më shumë shkëmbime me vendet e rëndësishme të këtij rajoni”, tha drejtori ekzekutiv i Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Sipas zotit Franke të dy palët ja kanë nevojën njeri tjetrit më shumë se kurrë, nga njëra anë BE që kërkon gjithçka që ofron Ballkani Perëndimor dhe nga ana tjetër rajoni ynë që më shumë se kurrë ka nevojë për integrimin në BE.

Advertisement