Kosova
‘Ballkani të pranojnë’/ Kurti i përgjigjet Trump-it: Kosova do strehojë 50 emigrantë të dëbuar nga SHBA

Kosova ka bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të dëbuar. Me anë të një postimi në Facebook, kryeministri Albin Kurti thotë se qeveria ka vendosur që brenda një periudhe njëvjeçare, Kosova të pranojë dhe strehojë deri në 50 individë të përzgjedhur nga një listë e propozuar nga SHBA-të. Kurti shkruan se qëllimi i këtij angazhimi është lehtësimi i kthimit të sigurt të këtyre personave në vendet e tyre të prejardhjes.
Albin Kurti: Si përgjigje ndaj kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta, gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim me partnerin dhe aleatin tonë, sot e përkthyem në Vendim të Qeverisë, në mbledhjen tonë të 262-të.
Sipas këtij vendimi, shteti ynë brenda një periudhe njëvjeçare do të pranojë dhe strehojë deri në 50 individë me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes. Përzgjedhja e këtyre personave do të bëhet nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik. Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, këta persona do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara po sipas legjislacionit tonë në fuqi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleat i yni palëkundur dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre. U jemi përherë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, dhe e vlerësojmë lartë mbështetjen në mbrojtje e zhvillim, e sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit Euro-Atlanti
Vendimi i Kosovës vjen, pasi pak ditë më parë media Bloomberg, raportoi se administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po ushtron presion mbi Serbinë dhe vendet e tjera të Ballkanit që të pranojnë emigrantë të deportuar nga Shtetet e Bashkuara. Kërkesat e dërguara vendeve në rajon janë pjesë e një strategjie më të gjerë amerikane për të gjetur qeveri të huaja të gatshme të pranojnë emigrantë të deportuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thuhej në artikull.

