Connect with us

Aktualitet

Banorët e Gramshit përplasen me policinë: Erdhët me vonesë, shtëpia m’u dogj! 50 metra larg ishit!

Zjarret masive që kanë përfshirë disa fshatra në Shqipëri kanë goditur më rëndë zonën e Gramshit, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe frikë tek banorët. Situata është përshkallëzuar në fshatin Harunas, ku pasditen e së martës disa banorë janë përplasur me policinë, duke shprehur indinjatën për mungesën e ndërhyrjes në kohë.

Banorët tregojnë se flakët kishin nisur që një ditë më parë, por ndihma ka mbërritur vetëm mëngjesin e sotëm.
“Që dje atje lart ka qenë flaka. Policia ka ardhur sot në orën 9:00. Erdhën pasi u përvëluam. Përse nuk erdhën dje avionët, por sot? Tetë avionë mbushën një kovë me ujë dhe ikën. Janë djegur gjithë ata që kanë punuar një jetë të tërë,” tha një prej tyre.

Një tjetër banor thekson se shtëpitë e rrezikuara ndodheshin vetëm 50 metra nga rruga kryesore, por ndihma nuk ka ardhur:
“Nuk ishin as 50 metra larg dhe nuk erdhën. Vetëm 4 familje ishin atje. Një familje ende ndodhet në zonë.”

Dëmet materiale janë të mëdha, ndërsa disa familje raportojnë se janë detyruar të largohen vetë, pa ujë dhe pa mbrojtje, duke lënë pas edhe bagëtitë.
“Banesa ime është djegur plotësisht, rreth 100 milionë lekë dëm. Kam dhe bagëti, i lamë mbyllur brenda,” tregon një banor tjetër.

Ndërkohë, autoritetet vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit, por banorët në Gramsh thonë se dëmi tashmë është i pariparueshëm

Advertisement