Politike
Bardhi i zhgënjyer, doja lidership të ri, por dështova dhe iu binda shumicës
Tirane- Gazment Bardhi ka zbardhur detaje nga mbledhja e djeshme (12 shkurt 2024) me Rithemelimin që shënoi dhe bashkimin e tyre zyrtar.
“Tema e bashkimit ishte tema që dominonte dhe diskutimet. Kishim diskutime për një projekt të përbashkët politik.
Ajo që ndodhi sot ishte formalizimi i një vullneti të përbashkët që të jemi bashkë. Mosbesimi mes palëve për objektivat që duam të arrijmë ishte i madh.
Të gjithë thamë çfarë mendonim dhe se kush ishte qëndrimi jonë për çështje të caktuara.
Çështja e partisë edhe sot që flasim mbahet pezull pa asnjë arsye nga gjykatat shqiptare. Ishte çështja më e vështirë”, tha Bardhi.
Ndonëse nënvizoi se ka bërë betejë për lidership të ri dhe se ende mendon se opozita duhet të ketë lidership të ri, theksoi se pas dështimit në këtë përpjekje zgjodhi t’i bindet vullnetit të shumicës.
“Qëndrimi im ka qenë dhe është që beteja është bërë për ta forcuar PD-në. Ne kemi punuar për zgjidhjen optimale. Një lidership i ri do të ishte zgjidhja optimale për PD-në. Kështu e gjykoj unë.
Për fat të keq, mendimin tim nuk e ndanë shumica e anëtarëve të partisë. E vetmja zgjidhje që mbetet është që duhet të respektohet vullneti i shumicës pavarësisht se cfarë do të tregojë koha.
Zgjedhjet e ardhshme janë pas një viti, kemi humbur shumë kohë nga ky debat dhe lidhjen me qytetarët” tha ai.
Sot Bardhi u rikthye për herë të parë në selinë blu aty ku Rithemelimi ushtron aktivitetin. Ky vendim disa muaj pas mbledhjeve të përbashkëta me grupin e Sali Berishës, duket se shënon zyrtarisht bashkimin me Rithemelimit dhe siç e argumentoi Bardhi vendimi vjen në mënyrë që sipas tij demokratët të bashkohen dhe të mos kenë më konflikte.
Opozita nuk do të heqë dorë nga aksioni opozitar në parlament. Kështu tha Gazment Bardhi
“Sa kohë nuk ndryshon kursi i mazhorancës opozita është në të drejtën e vet. Ata që janë në gabim janë shumica.Ne nuk kemi kërkuar të na jepet diçka që nuk na takon. E drejta e hetimit parlamentar, e garanton Kushtetuta. Reagimi i deputetëve të opozitës është gjëja më minimale. Sa herë të na shkelen të drejtat në Kuvend kemi për detyrë të reagojmë”.
Kurse komisionin për Reformën Zgjedhore e quajti pseudokomision.
“Grupi ka një projekt të opozitës për reformën zgjedhore. Nuk i kemi hyrë prezantimit të përmbajtjes sa kohë ne jemi jashtë procesit. Jemi lënë jashtë dhe të gjitha gjasat janë se po tentohet një reformë jo konsensuale. Legjitimim i një farse që po ndodh në atë komision. Reforma duhet të nisë nga prishja e marrëveshjes së 5 Qershorit, ku u ndryshua formula e koalicioneve që i dha fitoren Edi Ramës për mandatin e tretë. Sistemi mazhoritar, po jam dakord për lidhjen e të zgjedhurit me qytetarin” tha ai.
“Komisioni është vënë në lëvizje për shkak të protestës së opozitës. Ai është pseudokomision. Përfaqësuesit e opozitës që janë aty nuk kanë legjitimitetin për të qenë aty. Nuk vlen vullneti i 50 deputetëve sipas tyre, por vlen ai i 5 deputetëve.”
Gazment Bardhi e argumenton bashkimin me Rithemelimin e Sali Berishës për të mos i dhënë Edi Ramës mandatin e katërt. ai tha se kanë kuptuar se beteja me njëri tjetrin po e dobësonte PD.
“Jemi në mandatin e tretë në opozitë dhe përçarja e Pd rrezikon dhe mandatin e katërt. Ka të bëjë me vlerësimin e përgjegjshmërisë që ka treguar secili prej kolegëve të mi brenda grupit parlamentar. Kemi kuptuar se beteja me njëri tjetrin po e dobësonte Pd. Beteja që kemi bërë ka tejkaluar se duhet të gjejmë zgjidhje. Po të isha dëgjuar shumë kohë më parë dhe rezultati i zgjedhjeve lokale s’do kishte qenë i tillë. Kam bërtitu për të patur një kandidat në zgjedhjet lokale.”
Danjela Maloku: A e pranoi Berishën kryetar?
Gazment Bardhi: Po e njoh vullnetin e anëtarëve të partisë. Gjithmonë i jam referuar pjesëve brenda PD. Unë nuk i quaj si jashtë PD i quaj si pjesë të saj. Unë e lidh PD me anëtarët e partisë me vullnetin e anëtarëve të partisë. Nuk konsideroj anormale faktin që është bashkuar PD. Anormale ka qenë situata ku kemi qenë të përfshirë në dy vite.
Gazment Bardhi deklaroi se rrugët me Lulzim Bashën i ka ndarë.
“Lulzim Basha nuk është i pozicionuar qartësisht në opozitë, ndërkohë që duhet të ishte krah cdo demokrati, opozitar në betejë kundër Edi Ramës. Rrugët tona ndahen në këtë pikë. Unë kam kundërshtar Edi Ramën. Kjo është e vetmja studio ku diskutohet për bashkimin e opozitës, ky është lajm i keq për Edi Ramën” tha ai.
I pyetur nëse e kishte një qëllim të tillë me faktorizimin që ka marrë në përçarjen brenda PD-së, Bardhi tha se është çështje që duhet vendosur nga strukturat.
“Nuk e shikoj veten si kryeministër. Nuk e kam menduar ndonjëherë veten në këtë pozitë,. Kjo është një çështje që do duhet ta vendosin strukturat e partisë”- u përgjigj Bardhi.