Connect with us

Politike

Bardhi: Mbështesim çdo protestë kundër regjimit të Edi Rama

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi mohoi zërat se ka një përçarje mes ligjvënësve demokratë lidhur me nisjen e protestave.

“Çdo protestë kundër regjimit të Edi Ramës ka patur dhe ka mbështetjen time”, theksoi Bardhi në një prononcim për mediat pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD në kryesinë e Kuvendit.

I pyetur nëse do ti bashkohet protestës së të enjtes para parlamentit apo do jetë në Kuvend, Bardhi u përgjigj: “Kemi aksion prej 3 muajsh brenda sallës së parlamentit dhe do jemi aty, më pas se si do jetë skenari, se sa do zgjasë protesta dhe nëse do i bashkohemi, këtë do e shihni ditën e enjte”.

Bardhi tha se SPAK po vepron dy standarde me kërkesën për masë sigurie ndaj Berishës. Ai solli në vëmendje rastin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për të cilin parlamenti me shumicë socialiste e cilësoi heqje të lirisë masën e detyrim paraqitjes dhe ndalimit të daljes jashtë vendit. Ndërkohë, SPAK, për rastin e Berishës ka vepruar ndryshe, duke shmangur Kuvendin dhe duke iu drejtuar GJKKO-së për caktimin e masës ndaj Berishës. Sipas prokurorisë, nuk është e nevojshme që SPAK të marrë më herët autorizimin e Kuvendit për vendosjen e masave detyrim paraqitje dhe ndalim i lëvizjes jashtë vendit për një deputetet.

Pikërisht për të sqaruar këtë ngërç, tha Bardhi, ligjvënësit demokratë i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Standard të dyfishtë ai quajti edhe qasjen e SPAK në kërkesën për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj Berishës. Në këtë pikë, kujtoi rastin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

“Për Arben Ahmetajt SPAK solli një relacion 200 faqe me 1400 faqe prova. Për një deputetet të opozitës sjell 3 faqe relacion dhe asnjë prove bashkëlidhur”, tha Bardhi.

Advertisement