Politike
Bardhi prezantohet si drejtues në Fier, thumbon qeverinë: Nuk ju kthye besimi…
Këtë të shtunë, kreu i grupit të parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi është prezantuar para demokratëve të Fierit si drejtuesi politik i PD-së në këtë Qark, teksa të pranishëm në takim kanë qenë dhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, si dhe deputeti Luan Baçi.
Teksa ka publikuar në rrjetet sociale foto nga takimi, Bardhi shprehet i inkurajuar dhe falenderues nga mikpritja.
Ndër të tjera ai thekson se gjatë gjithë këtyre viteve qytetarët e këtij qarku janë përballur me arrogancën, varfërinë dhe korrupsionin në çdo sektor.
“Fieri ishte ndalesa e parë në takimin prezantues me strukturat drejtuese të degës. I inkurajuar dhe falenderues nga mikëpritja dhe energjia që të gjithë së bashku të bëjmë më të mirën për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë.
Fieri ka qindra arsye për të mbështetur ndyshimin, por mbi të gjitha, se kurrë nuk ju kthye besimi i madh që i kanë dhënë ndër vite partisë në pushtet. Në vend të mirënjohjes, qytetarët e ndershëm e punëtorë të Fierit u përballën gjatë gjithë këtyre viteve me arrogancën, varfërinë dhe korrupsionin në çdo sektor.” – shkruan Bardhi.
Vlen të theksohet fakti se kundërshtari politik i Bardhit në Fier është numri dy i Qeverisë, Belinda Balluku, e cila do të jetë drejtuesja e PS-së për këtë Qark.