Connect with us

Politike

Bardhi pyet Spiropalin: Çfarë dhurate të ka bërë Pëllumb Gjoka?

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i është përgjigjur ironisë së kryeparlamentares Elisa Spiropali, e cila e akuzoi se nuk kishte shënjestër me karrigen, teksa i referohej akteve të dhunës në seancën e ditës së hënë. Bardhi e pyet Spiropalin se çfarë dhurate i ka bërë biznesmeni Pëllumb Gjoka, i cili është i arrestuar prej më shumë se një viti, në kuadër të operacionit Metamorfoza.

“Pyetje publike për Kryetaren e Kuvendit: Përveç “dhuratës” së administratës a mund të informosh shqiptarët: Pëllumb Gjoka çfarë dhurate të ka bërë për detyrën e re?”, shkruan Gazment Bardhi.

Gjatë fjalës së saj në forumin antikorrupsion, që u mbajt përpara seancës së sotme në Kuvend, Spiropali tha se administrata e Kuvendit ia kishte bërë dhuratë në një kuti prej xhami copën e karriges me të cilën qëlloi ndaj saj Gazment Bardhi. Për këtë komisioni i Etikës në Kuvend vendosi pezullimin e tij me dy muaj nga seancat plenare.

“Ndihem e lumtur që jemi sot bashkë. Faleminderit që na dhatë rastin e kënaqësinë të shkëmbejmë ide më mirë dhe më qartë për atë që përditshmëria na bën të harrojmë, rrjedhën galoponte të ndryshimit. Një ndryshim që pak kohë më parë përballë skepticizmit fatal, ‘ky vend nuk bëhet’ na dukej e pamundur. Ky vend bëhet, ky vend po bëhet.

Dje vonë në mbrëmje një grup nga stafi mbështetës i Kuvendit më bëri dhuratën më të papërshtatshme që kam marrë ndonjëherë, një copë druri brenda një kornize xhami. Copa e drurit, këmba e karriges që një eksponent i opozitës e hodhi drejt meje për të më goditur. E di që më ruajti fati dhe paaftësia e goditësit për të gjuajtur në shenjë. Si njeri e kam falur, si politikane nuk mund të rri pa thënë dy fjalë.

Pse kjo egërsi? Pse edhe në vendin që duhet të mbizotërojë dialogu dhe arsyeja, thirret në ndihmë dhuna e verbër? Nuk kemi mundësi të shtjellojmë të gjitha arsyet. Po ju them vetëm njërën nga ato, atë që ka të bëjë me rolin balancues të pushtetit gjyqësorë. Ka ndodhur pikërisht këtu ku prokurorët e përgjithshëm të këtij vendi, shiheshin si vartës, trajtoheshin si kundërshtarë dhe luftoheshin si armiq”, tha ndër të tjera Spiropali.

Advertisement