Në një postim në Facebook, Bardhi kujtoi rastin e magjistratit Marko Boshku, i cili sipas tij ka marrë fjalë të mira për profesionalizmin e tij brenda sistemit, por që është shënjestruar nga sulmet e kryeministrit.
“Autokrati i Tiranës nuk arrin të kuptojë se në këtë vend ka ende njerëz të ndershëm që refuzojnë t’i nënshtrohen abuzimeve dhe paligjshmërisë së tij,” shkruan Bardhi, duke përmendur edhe rastin e uzurpimit të pronës private për transferimin e stafit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Bardhi vlerësoi reagimin e gjyqtarëve të Tiranës, Durrësit, Kukësit dhe Shoqatës së Gjyqtarëve, të cilët u ngritën kundër sulmeve ndaj Marko Boshkut, si një shenjë e refuzimit për t’u nënshtruar. Por Bardhi nuk kurseu kritika për Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), të cilin e akuzon për heshtje dhe për mosmbrojtje të pavarësisë së gjyqësorit.
“Sikur të mendonin për vendin e punës pas detyrës, atëherë nuk kanë qenë kurrë të denjë për rolin kushtetues që kanë,” thekson Bardhi, duke vënë në pikëpyetje integritetin e anëtarëve të KLGJ-së dhe duke i kujtuar historitë e atyre që janë nënshtruar për pushtetin.