Politike
Basha publikon programin për politikën e jashtme: Do konsolidojmë marrëdhëniet me SHBA
Konsolidimi i mëtejshëm dhe zgjerimi në të gjitha fushat i marrëdhënieve të ngushta me aleatin më të madh të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është pika e parë e Programit të PD-Demokratët Euroatlantikë për politikën e jashtmë. Në një postim në facebook, kreu i kësaj force politike, Lulzim Basha, ka përsëritur zotimin e tij për heqjen e vizave me SHBA brenda mandatit të parë qeverisës.
Ai më tej shprehet se programi për politikën e jashtme parashikon se anëtarësimi në BE do jetë prioritet Kombëtar, ndërsa marrëdhëniet me Britaninë e Madhe dhe me BE do të njohin një dimension të ri në funksion të zhvillimit ekonomik.
Sipas tij, si çështje prioritare në politikën e jashtme do jenë edhe interesat shqiptare në rajon si mbrojtja e integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës, mbështetjen e faktorëve politikë shqiptarë si dhe ruajtjen e gjuhës, kulturës e identitetit shqiptar përmes ngritjes së Institutit të Gjuhës e Kulturës Shqiptare.
Postimi i plotë i Lulzim Bashës:
Ne i konsiderojmë marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si thelbësore.
Konsolidimi i mëtejshëm dhe zgjerimi në të gjitha fushat i marrëdhënieve të ngushta me aleatin më të madh të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të vijojë të përbëjë një përparësi kryesore të politikës sonë të jashtme.
1. Ashtu siç hoqëm vizat në zonën Shengen, angazhohemi për Heqjen e Vizave me SHBA brenda mandatit të parë qeverisës;
2. Marrëdhëniet me Britaninë e Madhe dhe vendet anëtare të BE do të njohin një dimension të ri në funksion të zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve tanë;
3. Ashtu si antarësimi në NATO, ne vlerësojmë se Integrimi Europian është një prioritet kombëtar. Integrimi Europian sot është jo vetëm një çështje standartesh modernizuese të shtetit, por dhe një çështje sigurie në mbrojtje të hapësirës së vlerave të botës demokratike ku duam të bëjmë pjesë;
4. Ne do të mbështesim të gjitha nismat rajonale që synojne integrimin euroatlantik të rajonit, si dhe do të mbështesim totalisht e pa rezerva nisma si Procesi i Berlinit, duke dekurajuar çdo format tjetër me destinacion të paqartë dhe që rrezikon të devijojë nga parimet e integrimit në BE;
5. Partia Demokratike ka si çështje prioritare në politikën e saj të jashtme interesat shqiptare në rajon;
6. Mbrojtja e integritetit territorial dhe sovranitetit, si dhe konsolidimi i shtetit demokratik në Kosovë është një prioritet përcaktues në politikën tonë të jashtme, në marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe në rajon e më gjerë;
7. Ne do të mbështesim konsolidimin e faktorëve politikë shqiptar dhe do të nxisim fuqizimin e përfaqësimit institucional të këtyre faktorëve në vendet fqinje;
8. Do të bëjmë gjithçka në mbështetje të ruajtjes së gjuhës, kulturës e identitetit shqiptar përmes ngritjes së Institutit të Gjuhës e Kulturës Shqiptare, me një rrjet filialesh në vendet ku jetojnë e punojnë shqiptarët në botë.