Connect with us

Politike

Basha: Rangalleve të tranzicionit do t’u përgjigjemi me një koalicion të gjerë me njerëzit

Pas deklaratës së sotme të Edi Ramës se bashkëpunimi me deputetët e Rithemelimit të Sali Berishës ka ardhur për të mirën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.

Për Bashën kjo nuk është marrëveshje për BE, por pazar i pastër i rangalleve të vjetra të tranzicionit, që duan ta mbajnë peng Shqipërinë, duke ruajtur monopolin e sistemit.

“Nuk është marrëveshje për anëtarësimin për në Bashkimin Evropian, por është pazar i pastër mes rangalleve të vjetra të tranzicionit, që duan të mbajnë peng Shqipërinë, duke ruajtur monopolin e sistemit, sepse vetëm ashtu mund të mbajnë njëri-tjetrin, sipas lojës 30-vjeçare, që i yti mishin të ha, por kockën ta ruan”, – u shpreh Basha.

Më tej ai thotë se askush nuk i beson përrallat e Edi Ramës, i cili kur nuk i duhet e quan Berishën “non grata”, ndërsa kur i duhet ta ketë përballë, e quan faktor parlamentar.

“Sot nuk ka shqiptar që beson përrallat e Edi Ramës, i cili një ditë i quan idiotë ata që thanë se po bën pazar, ndërsa të nesërmen vetë zyrtarizon pazarin me Sali Berishën, të cilin, kur s’i duhet e quan “Non grata”, ndërsa kur i hyn në punë, e quan partner për jetën parlamentare.”

Kreu i PD-së, Basha, paralajmëroi se kjo marrëveshje, veç të tjerave, synon të zhbëjë ligjin e dekriminalizimit dhe t’i bëjë presion drejtësisë së re.

“Pazari për të mbrojtur marrëveshjen e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, është i qartë, por, përveç kësaj, së bashku ata duan të shkatërrojnë ligjin e dekriminalizimit, për t’i hapur rrugë personave me precedentë penal dhe zyrtarëve të dënuar për korruspion, që të kenë mundësi të kandidojnë në zgjedhjet e radhës. Ashtu sikurse të dy janë të interesuar për t’i bërë presion drejtësisë së re, e cila ka premtuar se nuk do të kursejë askënd, pavarësisht hierarkisë apo pozicionit të lartë shtetërore.Edi Rama ka treguar se pa bashkëpunim me krimin e organizuar nuk mund të fitojë dot. Në pazarin e fundit po tregon se e ka të nevojshme për ta mbajtur në lojë “Non gratën”, që nesër ta ketë rrugën e hapur.”

Në fund ai shprehet se “Partia Demokratike është e vendosur për një koalicion të gjerë me qytetarët dhe me të gjithë faktorët politik që duan një Shqipëri të njerëzve dhe për njerëzit kundër elitës së vjetër 35-vjeçare të dinosaurëve të korrupsionit”.

Advertisement