Connect with us

Rajon

‘Bashkë dhunuam shqiptarët dhe…’/ Gazeta amerikane ‘kryqëzon’ Vuçiçin

Prej kohësh është përfolur fuqishëm përfshirja e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe qeverisë së tij me bandat kriminale në vend, ndërkohë që emri i tij përmendet edhe i lidhur me një nga bandat që ka kryer krimet më makabre në shtetin serb, ku përfshiheshin edhe prerje kokash apo copëtim i mishit të viktimave në makineri industriale dhe hedhje e tyre në Danub.

Gazeta amerikane New York Times, ka publikuar para pak ditësh një investigim të hollësishëm të jetës para angazhimit në politikë dhe më pas në poste të rëndësishme, të presidentit serb.

Në një pjesë të investigimit evidentohen prirjet e tij të dhunshme dhe një episod ku ai që udhëheq sot Serbinë u përfshi në një konflikt të dhunshëm me shqiptarët.

Gjithçka duket se e ka pasur zanafillën në një ndeshje futbolli, ndërsa Vuçiç ka qenë pjesë e një grupi huliganësh të cilët synuan goditjen e shqiptarëve etnike dhe “tu jepnin atyre një mësim”.

 

 

“Huliganët më të vjetër i thanë B. dhe miqve të tij që të gjenin një grup të ngjashëm të rinjsh që mbështesnin ekipin tjetër kryesor të Beogradit, Partizanin, dhe t’i sfidonin ata në luftime “për të parë se kush është trim dhe kush jo”. Të gjithë huliganët e rinj në tribunën veriore ishin nacionalistë të rinj, tha B., përfshirë Vuçiçin. Ndër thirrjet ishte “Serbi, jo Jugosllavi”.

Pas një loje në vitin 1988 dëgjuam për një përplasje mes serbëve dhe shqiptarëve etnikë. Shkuam “për të gjuajtur” shqiptarët në Beograd pas një loje, me shpresën se do të thyenim disa dyqane dhe t’u jepnim një mësim shqiptarëve. Përfunduan duke bërë sherr në rrugë.
Presidenti Vuçiç ishte gjithashtu në këtë sherr”, shkruan New York Times.

 

Një të shtunë në mbrëmje në fillim të marsit 2021, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u shfaq në televizion live, i ulur në një tavolinë të gjatë prej druri dhe i rrethuar nga kryeministri dhe ministri i brendshëm i vendit.

Vuçiç tha se kishte një njoftim të rëndësishëm për të bërë në lidhje me arrestimin e një bande të krimit, përgjegjës për vrasje të shumta. Ministri i Brendshëm paralajmëroi shikuesit që të largonin fëmijët e tyre nga televizori.

Një seri imazhesh u shfaqën në ekranin pas tij: një kokë e prerë, një trup pa kokë, një bust.

Vuçiç foli ngadalë, shpesh duke ndaluar dhe duke i ngulur sytë në tryezën përballë tij.

Ai vlerësoi Policinë dhe agjentët e inteligjencës që hetuan bandën. Ishte një prezantim tronditës, edhe në një vend si Serbia, ku shumë të rritur kanë kujtime të dhimbshme nga luftërat jugosllave të viteve 1990 dhe mizoritë e tyre.

Por konferenca për shtyp ishte vetëm fillimi i një fushate zbulimesh të tmerrshme. Në javët pas arrestimit në shkurt, detaje të reja filluan të dalin në shtyp. Thuhej se banda i kishte joshur viktimat e saj në një “shtëpi tmerri” në periferi të Beogradit, ku ata u torturuan, u copëtuan, e trupat e tyre copëtoheshin përmes një mulli mishi industrial dhe ndonjëherë hidheshin në Danub.

Historia i tmerroi serbët, dhe jo vetëm për shkak të imazheve të tmerrshme. Kreu i bandës ishte një huligan trupmadh futbolli dhe trafikant kokaine i quajtur Veljko Belivuk, i mbiquajtur “Problemi”, tashmë një figurë e njohur në Beograd.

Ai ishte akuzuar më parë për vrasje dhe një sërë krimesh të tjera të rënda, por asnjëherë nuk kaloi shumë kohë në burg. Ai u përfol se kishte marrëdhënie të mira me Policinë dhe shërbimet e inteligjencës serbe.

Ai dhe njerëzit e tij ishin fotografuar në shoqërinë e njerëzve të fuqishëm, përfshirë djalin e presidentit, Danilo Vuçiç.

Pas konferencës për shtyp, Belivuk ofroi anën e tij të historisë në një seancë gjyqësore me dyer të mbyllura. Ai tha se banda e tij ishte organizuar “për nevojat dhe me urdhër të Aleksandër Vuçiçit”, referuar transkripteve të gjykatës.

Ai përshkroi disa nga punët që banda pretendonte se kishte bërë për qeverinë, si frikësimi i rivalëve politikë dhe ndalimi i tifozëve që të këndonin kundër Vuçiçit në ndeshjet e futbollit – një shërbim i vlefshëm në një vend ku stadiumi mund të krijojë ose rrëzojë një president.

Belivuk paralajmëroi se nëse Vuçiç vazhdonte procedurat kundër tij, ai do të kishte shumë më tepër për të thënë për kreun e shtetit.

Vuçiç kundërshtoi me zemërim çdo lidhje me vrasësit. Por ai dukej se e merrte personalisht çështjen Belivuk, duke pretenduar se ishte një komplot kundër tij.

Në një intervistë të çuditshme televizive disa muaj pas arrestimeve, ai tha se ushtarët e Belivukut bënë viktimat “qofte njerëzore” dhe ia dërguan shefit të Belivukut, Radoje Zvicer.

Vuçiçi e sfidoi.

“Unë e ftoj atë të më vrasë. Nuk kam asnjë problem me këtë, sepse është më mirë të bëhesh mish i grirë se sa të lihen këta bastardë të sundojnë Serbinë”, tha ai.

Ndërkohë që seanca gjyqësore po afronte, një sërë faktesh nisën të dalin në dritë, për lidhjet mes bandës dhe anëtarëve të ndryshëm të administratës së Vuçiçit, që duket se i kanë monitoruar, asistuar dhe mbrojtur.

Belivuk shpesh shfaqej si “binjaku i errët” i presidentit, një burrë që mishëron lidhjet kriminale të një shteti, që më shumë se kurrë është bërë autokratik gjatë viteve të fundit.

Vuçiçi, i cili ka qenë president i vendit nga viti 2017 dhe drejton partinë në pushtet, ka thënë prej kohësh se dëshiron ta udhëheqë vendin e tij, një ndër më të varfrit në Evropë, drejt prosperitetit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në të njëjtën kohë ai ka goditur shumë nga institucionet demokratike të Serbisë, ndërsa bandat e stilit mafioz shpesh duket se veprojnë pa u ndëshkuar.

Çështja Belivuk, me fjalë të tjera, nuk është thjesht një histori apo përrallë e zhurmshme me prerje kokash dhe kokainë. Gangsterizmi që ka lulëzuar ndërkohë që Serbia udjhëhiqet nga Vuçiç, së bashku me kërcënimet periodike të Serbisë për të “mbrojtur” serbët etnikë në vendet tjera të rajonit, përfundimisht mund të prapësojnë marrëveshjet që kthyen paqet në Ballkan në vitin 1995.

Evropianët janë shumë të vetëdijshëm për këtë fakt, siç është edhe Vladimir Putini, që ka arsye të freskëta për t’i ndarë dhe shpërqendruar ata. Kremlini ka një histori të gjatë të përkrahjes së nacionalistëve serbë dhe më shumë motiv se kurrë, falë luftës në Ukrainë, për të nxitur trazira në Ballkan.

Por, rreziqet për Evropën janë më të thella se kaq. Në radhë të parë, është demagogjia etnike dhe shovinizmi i presidentit serb, që janë pasqyrim i sjelljeve politike të Putinit.

Një tjetër aspekt është se përhapja e demokracisë joliberale, që tashmë po forcohet brenda kontinentit, përbën një kërcënim që në rastin më të mirë mund të jetë në të njëjtin nivel rrezikshmërie, në mos më shumë se ai aspekti i parë.

Rasti Belivuk hapi një dritare drejt një të ardhmeje të mundshme më të zymtë, ku Vuçiç minon projektin evropian së brendshmi, duke ndërtuar një shtet ku demokracia është vetëm një fasadë dhe bandat kriminale shfrytëzohen nga pushteti për të përhapur frikë.

Edhe pa një qëllim më të madh, veçmas kjo do të përbënte një fakt shqetësues.

Gjithashtu kjo është e njëjta taktikë nga ata që futën Ballkanin në një luftë katastrofale tri dekada më parë.

Në kohën kur Belivuk bëri paraqitjen e tij të parë publike në sallën e gjyqit në tetor, ai kishte fituar tashmë një famë makabre, nga një seri shkrimesh në tabloide të ndryshme.

Ai u fut në dhomë i prangosur, i veshur me një bluzë të bardhë dhe xhinsa. Fytyra e tij ishte e butë dhe e rrumbullakët ndërsa sytë e tij të zbrazët.

Pavarësisht nga trupi i tij i madh, ai dukej çuditërisht si një foshnjë e madhe, sikur një jetë e tërë dhune të mos i kishte lënë asnjë shenjë në të.

Ai dhe rreth 30 të pandehur të tjerë, kryesisht burra me tatuazhe dhe koka tullace, dukeshin çuditërisht të relaksuar, të buzëqeshur, duke biseduar apo duke i hedhur herë pas here sharje të rastësishme njëri-tjetrit. Një situatë e tillë e qetë me siguri ishte krijuar pasi kishin përshtypjen se edhe gjyq, ashtu si shumë të tjerë do të përfundonte me gabime procedurale, prova të gabuara dhe lirime të parakohshme.

Pas disa formaliteteve, prokurori u ngrit dhe nisi të lexojë akt-akuzën, ku përshkroi se si Belivuku dhe një “vartës i tij” goditën një viktimë me sëpatë në qafë dhe ia prenë kokën. Në këtë moment, pavarësisht makabritetit të detajeve në akt-akuzë, Belivuk thjeshtë gogësiti dhe pa tavanin. Disa nga shokët e tij të pandehur duket sikur ranë në gjumë.

Kur Belivuk u ngrit për të dëshmuar, ai shtrëngoi foltoren me të dyja duart dhe shkoi direkt në thelbin e gjithçkaje.

Ai u shpreh se banda e tij ishte që në pikënisje një projekt shtetëror, ndërsa tregoi edhe disa nga shërbimet që ata kishin kryer. Belivuk përshkroi një takim që pretendoi se kishte me Vuçiçin në një shtëpi private në Beograd.
Ai tregoi edhe adresën e banesës, numrin e apartamentit dhe madje edhe emrin e pronarit.

Belivuk u shpreh se një takim i tillë ka ndodhur vetëm një herë, për faktin e vetëm se “shefi ishte i frikësuar se dikush mund të shihte apo filmonte, dhe një gjë e tillë nuk do të ishte mirë”.

Akuzat e bëra prej tij u mohuan menjëherë nga presidenti Vuçiç, i cili nga ana tjetër u vetë ofrua që për të hedhur poshtë dyshimet të bënte edhe një test në poligraf.

Pavarësisht gjithçkaje, rëndësia e çështjes së Belivukut qëndron diku tjetër.
Kjo çështjes e ka detyruar gjithë Serbinë të përballet me provat e shumta rrethanore se presidenti Vuçiç ka lejuar bandat dhe gangsterët të bëhen një krah virtual i shtetit.

Mbështetja që Belivuk dhe miqtë e tij morën nga policia dhe Ministria e Brendshme gjatë dekadës së fundit janë dokumentuar mjaft mirë gjatë dëshmive në gjykatë, përgjimeve telefonike dhe fotografive të paraqitura në proces.

Pas gjithçkaje që është paraqitur, pretendimet se e gjithë kjo mund të ketë ndodhur pa dijeninë e Vuçiç, shkakton hilaritet në Beograd.

Para se Vuçiçi të ishte president, ai ka mbajtur postin e kryeministrit të vendit dhe gjatë një dekade ka riorganizuar shërbimet e sigurisë së Serbisë.

Tashmë ai ushtron kontroll pothuajse total në çdo sferë të jetës publike në vend, që nga Parlamenti deri te gjykatat, policia dhe bizneset.

Në fakt, arrestimi i Belivukut dhe bandës së tij mund të jetë një nga vendimet e pakta të rëndësishme të viteve të fundit të drejtësisë serbe, që Vuçiçi nuk arriti ta kontrollojë.

Një pretendim i tillë nuk kishte shumë gjasa të bëhej realitet, për shkak të postit të Vuçiçit dhe ndalesave ligjore në këtë rast.

Asnjë zyrtar i lartë në Serbi nuk është paditur, e madje shumë pak janë marrë në pyetje.

Një numër i madh i dëshmive në këtë çështje, erdhi nga një ekip zyrtarësh policorë evropianë, të cilët zbuluan aktivitetin e kësaj bande në mënyrë aksidentale.

Hetimi i tyre zgjati për rreth dy vite, ndërsa një pjesë e rëndësishme e hetimit ishte dekriptimi i mesazheve në aplikacioni “SKY-EÇ”, një aplikacion ky që përdorej rëndom mes trafikantëve, për shkak edhe të sigurisë të trumpetuar nga krijuesit e këtij aplikacioni.

Kur më në fund arritën të zbulonin kodet për dekriptimin e mesazheve, ajo që u zbulua ishte shumë më shumë se sa një trafik kokaine, ashtu siç fillimisht u dyshua.

Me të paktën 70 mijë përdorues, “Sky-EÇ” ishte si një “Rosetta Stone” virtuale me mesazhe grafike dhe fotografi makabre.

“Është njësoj sikur të keni qëndruar jashtë një shtëpie të errët ndërsa tani, papritmas, keni hyrë brenda dhe keni ndezur dritën”, tha një zyrtar i Europolit.

Sky nuk ishte aplikacioni i parë që dyshohej se përdorej për organizimin e trafikut të kokainës dhe për të lehtësuar komunikimin mes bosëve të drogës.

Megjithatë ai ishte gjerësisht më i përdoruri.

Kompania, e themeluar në vitin 2010 nga një sipërmarrës i teknologjisë në Vancouver, mburrej se kriptimin i saj me katër shtresa ishte i pathyeshëm. Përfundimisht fitoi qindra e miliona dollarë përpara se drejtuesit të akuzoheshin në vitin 2021.

Pjesa më e madhe e provave brenda “Sky-EÇ” doli të ishte nga Ballkani dhe veçanërisht nga Serbia.

Transmetimi i këtyre të dhënave ishte “shumë i ndjeshëm”, tha një zyrtar i Ministrisë së Brendshme të Francës, për shkak të shqetësimit se mund të ketë rrjedhje të informacioneve. Edhe pse serbe e arrestoi Belivukun dhe bandën e tij, një akt i tillë hasi në ngurrim nga ana e autoriteteve.

Disa ditë përpara arrestimit, ai dhe një prej vartësve të tij u lejuan të largoheshin nga shteti drejt Malit të Zi, një qendër tjetër për trafikuesit e drogës.

Autoritetet malazeze pretenduan se parandaluan një tentativë për t’i vrarë ata.

Një prokuror malazez tha për mediat lokale se pas komplotit qëndronin “disa struktura sigurie” në Serbi, veprimqë do të ishte ndërmarrë me shumë mundësi në mënyrë që të shmangej një proces si ai që ndodhi në Serbi.
Gjatë nëntë vjetëve të Vuçiçit në pushtet, huliganët serbë të futbollit dhe bandat kriminale që u përfshirë në politikën e paqëndrueshme të rajonit dhe ndihmuan nxitjen e kryengritjeve serbe në vendet tjera të Ballkanit. Disa prej tyre kanë shprehur besnikërinë ndaj Rusisë. Disa serbë i janë bashkuar grupit paramilitar “Wagner”, që ka historinë e vet të angazhimit të kriminelëve dhe ka postuar video në gjuhën serbe për rekrutime në luftën në Ukrainë.

Ndonëse Vuçiçi ka dhënë deklaratë kundër grupit, Serbia mbetet ende e pavendosur mes Rusisë dhe Perëndimit sa i përket politikës së saj të jashtme.

E gjithë kjo i jep Vuçiçit një pozitë fuqie të jashtëzakonshme. Në një rast krize, ai mund të vendosë nëse rajoni i Ballkanit do të ndjekë rrugën e paqes, apo do të rikthehet te dhuna.

Rreziqet më të dukshme sot janë të përqendruara në Kosovë, ku gjenden me shumicë “xhepa” serbe, veçanërisht në veri të vendit.

Lidershipi i Serbisë mbetet thellësisht i pakënaqur me ndarjen e Kosovës nga Serbia pas luftërave në Jugosllavi të viteve 1990 dhe refuzon ta njohë pavarësinë e saj të pranuar ndërkombëtarisht në vitin 2008.

Skenari që lë pa gjumë liderët evropianë imagjinohet në njëfarë mënyre kështu: Vuçiç, duke pretenduar një rrezik për minoritetin serb, dërgon trupa përtej kufirit dhe anekson veriun e Kosovës.

Serbët lokalë kudo në rajon largohen nga shtëpitë e tyre dhe kërkojnë ndryshime kufijsh. Kjo mund të shënojë fundin e Marrëveshjes së Dejtonit, paktit të ndërmjetësuar nga diplomati amerikan Richard Holbrooke, që i dha fund luftimeve më të rënda në vitin 1995 dhe rikrijoi hartën e ish-Jugosllavisë.

Kjo mund të sillte një tjetër luftë. Por edhe pa dhunë, rënia e rendit të Dejtonit do të forconte politikën e solidaritetit etnik dhe autokracitë në gjithë Ballkanin.

Një skenar tjetër përfshin fshehjen e qëllimeve irredentiste të Vuçiçit derisa Serbia të pranohet në Bashkim Evropian. Ky skenar i “Kalit të Trojës” ka fituar besim pjesërisht për shkak të kryeministrit joliberal të Hungarisë, Viktor Orban, një aleat i ngushtë i Vuçiçit, që ka lobuar me zell për pranimin e Serbisë.

Ai duket se shpreson që Vuçiçi mund ta ndihmojë Hungarinë, një anëtare e BE-së që nga viti 2004, të drejtojë bllokun evropian drejt një drejtimi më populist e më pak demokratik.
Për të gjitha këto arsye, rasti Belivuk ka qenë një rast i ndjeshëm për gazetarët. Më është thënë para se të shkoja në Serbi se telefonatat e mia do të përgjohen, do të më ndiqnin, madje edhe do të më ndalonin e do të më merrnin në pyetje. Gazetarët serbë që më dhanë këto paralajmërime janë ngacmuar dhe kërcënuar në mënyrë rutinore si nga kriminelët ashtu edhe nga BIA, Agjencia e Inteligjencës së Serbisë.

Zona gri mes shtetit dhe mafies në Serbi është e vërtetë. Po ashtu ajo është e rrethuar nga mure të jashtme të thashethemeve dhe paranojave që e bëjnë më të vështirë punën e një gazetari. Duhet të kem folur me dhjetëra serbë, të cilëve u janë vrarë djemtë, bashkëshortët apo fëmijët, në rrethana të errëta. Shumica prej tyre nuk e kishin idenë se cilët ishin vrasësit, por kishin histori të hollësishme për të treguar për zyrtarët e korruptuar, baronët e drogës, pazaret e armëve dhe fotografi inkriminuese. Disa kishin angazhuar edhe detektivë privatë. Megjithatë, disa nga njerëzit me të cilët fola fshihnin qartë gjërat nga unë.

Kalova një orë duke biseduar me një grua, burri i së cilës ishte në mesin e trupave të vrarë në fotografitë që shoqëruan aktakuzën ndaj bandës Belivuk. Ajo ishte shtatlartë dhe me flokë të gjatë e të zij. Historia e saj ishte prekëse. Kur fillova të pyesja për të kaluarën kriminale të bashkëshortit të saj – ai kishte qenë i burgosur për rolin e tij në një bandë famëkeqe të Ballkanit për vjedhje të argjendarive – përgjigjet m’u kthyen ftohtë dhe shpejt. Mu krijua një ndjenjë sikur ajo mund të kishte treguar një histori shumë më interesante nëse nuk do të ishte e shqetësuar për pasojat me të cilat do të përballeshin bashkëpunëtorët e bashkëshortit apo edhe vetë ajo.
Vuçiçi nuk është përgjegjës për këtë moçal frike dhe për kriminalitetin endemik. Ato janë pothuajse pjesë e peizazhit në Ballkan, aq sa vetë emri i rajonit është përdorur me shekuj nga të huajt si një lloj stenografi për urrejtje dhe dhunë etnike – “një skenë e vendosur për trailerët ekzotikë të korrupsionit, për vrasje të shpejta dhe krime të lehta”, siç ka shkruar historiani Mark Mazoëer. Por, Vuçiçi ka dhuntinë e demagogut për t’u dhënë jetë këtyre stereotipeve. Ai e ka shfrytëzuar shkëlqyeshëm problemin e mafjes në Serbi duke krijuar një mjedis në të cilin linja e paqartë mes krimit të organizuar dhe shtetit luan në avantazhin e tij.
Pjesën e dytë të artikullit mund ta lexoni këtu.

Nuk është rastësi që edhe Vuçiç, edhe Belivuk filluan aktivitetin në grupet e tifozëve të futbollit. Ndoshta më shumë se kudo tjetër, stadiumet e futbollit në Serbi janë vendet nga lindin format më të këqia të pushtetit ose oaze rekrutimi për milicët dhe kriminelët. Stadiumet ishin streha e nacionalizmit etnik që shkatërroi Jugosllavinë, dhe ato emocione të dhunshme i dhanë formë Vuçiçit të sotëm dhe bashkëkohësve të tij. Edhe tani, prania në një arenë sportive mund të bëjë të ndiesh si mbi një stuhi rrufeje. Oficerët me uniformë rreshtohen bulevardeve dhe ndërsa afrohesh, ka ekipe policie të militarizuara me parzmore dhe mburoja. Tifozët ndonjëherë brohorasin sharje që të kujtojnë ato të përdorura gjatë fushatave të spastrimit etnik të viteve ‘90. Besnikëria e ekipit merr një intensitet pothuajse fetar. Shefi ekzekutiv i Crvena Zvezdës së Beogradit, skuadrës më të njohur në Serbi, tha bujshëm se Crvena Zvezda “nuk është vetëm ekip futbolli, është ideologji, filozofi dhe simbol kombëtar. Crvena Zvezda është rojtari i identitetit serb dhe i besimit ortodoks”.

Huliganët e masakrave

Tifozët e vdekur të futbollit vështrojnë nga muralet e pikturuara në të gjithë Beogradin, krahas pllakateve, statujave dhe memorialëve të tjerë që dëshmojnë statusin e tyre si një lloj “vox populi”. Huliganët ishin ndër të parët që shkuan në luftë në fillim të viteve ‘90 dhe ishin po ata që garantuan muskujt e lëvizjes për të rrëzuar politikanin e fortë nacionalist, Slobodan Milosheviç, një dekadë më vonë. Që atëherë, politikanët serbë kanë frikë nga stadiumi dhe janë përpjekur të mbajnë huliganët në anën e tyre.

Të flasësh me huliganët serbë nuk është e lehtë. Disa janë të rrezikshëm. Shumica e atyre që takova ishin të heshtur dhe të kujdesshëm, pa dyshim pjesërisht për shkak të rastit “Belivuk”. Pas dy javësh kërkimi, një koleg serb më ndihmoi të gjeja atë që kërkoja: një burrë që ishte rritur përkrah Vuçiçit në stadium dhe që ishte i gatshëm dhe që qe i aftë të fliste për origjinën e tyre të përbashkët.

Ai ishte një 46-vjeçar që ende i referohet vetes si huligan, megjithëse ka një grua dhe fëmijë dhe rrallëherë futet në zënka. U takuan në një lokal larg lagjes së tij, kështu që ai nuk do të njihej. Ai foli me kusht që të mos e identifikoj, ndaj do t’i referohem si B., iniciali i tij i parë.

Ai ka një trup kompakt dhe një kokë të rruar, dhe ndërsa ecte nëpër lokal, vështrimi i tij ishte aq i drejtpërdrejtë dhe i patrembur. U ulëm dhe porositëm birra.

Ai fliste shpejt në anglisht, duke folur herë pas here edhe në serbisht kur nuk mund të gjente fjalën e duhur në gjuhën angleze.
B. më tha se stadiumi ishte një zonë e rrallë lirie dhe anonimiteti në shtetin komunist të Jugosllavisë të kontrolluar fort. Ishte gjithashtu një vend ku, nga fundi i viteve 1980, mund të shihje vendin duke u shpërbërë dita-ditës. Të rinjtë filluan të formojnë banda dhe të sillnin shkopinj bejsbolli në ndeshje, duke adhuruar anëtarët e bandave të rrugës në filmin amerikan të vitit 1979 “The Warriors”.

Huliganët më të vjetër i thanë B. dhe miqve të tij që të gjenin një grup të ngjashëm të rinjsh që mbështesnin ekipin tjetër kryesor të Beogradit, Partizanin, dhe t’i sfidonin ata në luftime “për të parë se kush është trim dhe kush jo”. Të gjithë huliganët e rinj në tribunën veriore ishin nacionalistë të rinj, tha B., përfshirë Vuçiçin. Ndër thirrjet ishte “Serbi, jo Jugosllavi”.

Pas një loje në vitin 1988, tha B., ai dhe grupi i tij dëgjuan për një përplasje mes serbëve dhe shqiptarëve etnikë. Ata shkuan “për të gjuajtur” shqiptarët në Beograd pas një loje, me shpresën se do të thyenin disa dyqane dhe t’u jepnin një mësim shqiptarëve. Ata përfunduan duke bërë sherr në rrugë.
“Presidenti Vuçiç ishte gjithashtu në këtë sherr. Dhe duhet t’ju them, nuk më pëlqen tani, por ai ishte trim, trim në luftë”, tha ai.

Vuçiç ka thënë se ai ishte në tribuna gjatë një përleshjeje legjendare të futbollit të vitit 1990, që ndonjëherë është përshkruar si fillimi i vërtetë i luftërave ballkanike. Ndodhi gjatë një ndeshjeje mes skuadrave të Yllit të Kuq dhe Dinamo Zagrebit dhe shpejt u shndërrua në një përleshje që përfshiu të gjithë stadiumin. Tifozët nga të dyja anët ishin qartësisht të përgatitur për një betejë: gurë ishin grumbulluar në stadium, gati për t’u hedhur. Dekada më vonë, mediat serbe publikuan foto të paqarta të ndeshjes në të cilat një i ri i dobët, i identifikuar si Vuçiç, shihet në turmë.

Në vitin 1990, dhuna po dilte jashtë kontrollit. Kishte mijëra vandalë të rinj që kërkonin telashe dhe, tha B., dikush duhej “të qetësonte atë grup, sepse Sllobodan Millosheviçi kishte frikë prej tyre”.

Advertisement