Connect with us

Politike

“Bashkëpunojnë me krimin”/ Pas akuzave të Berishës, Policia reagon e shqetësuar

Një reagim zyrtar ka ardhur sot nga Policia e Shtetit për deklaratat e bëra nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Gjatë një takimi me simpatizantë, teksa prezantonte programin e opozitës për rendin dhe sigurinë në vend, kryedemokrati përmendi arrestimin e Altin Morinës (edhe pse këtij të fundit nuk iu referua me emër), duke shtuar se është bashkëpunëtor i ngushtë i kryepolicit, Ilir Proda.

Akuzat, Berisha i shoqëroi me pretendimet se pas arrestimit të mikut të tij, Proda ka bërë “reprezalje” tek oficerët e Policisë që e vendosën në pranga dhe kërkon dorëheqjen e tyre nga postet që mbajnë.

“E vërteta është se sot në krye të Policisë së Shtetit është një bashkëpunëtor i bandave, një i emëruar i tyre. Ky drejtor Matriksi, edhe dje arrestuan një bashkëpunëtor të tij trafikant dhe u bë reprezalje tek oficerët e Policisë që e arrestuan atë për lirimin e tij. Krimi urdhëron emërimin e drejtorëve, shkarkimin e tyre,”- tha Berisha.

Lidhur me këtë rast kanë komentuar edhe gazetarë që merren me kronikën dhe çështjet e lidhur me Policinë e Shtetit. Gazetari Igli Çelmeta shkruan në rrjetet e tij sociale se oficerët që kanë vendosur në pranga Altin Morinën janë lëvizur nga vendet e tyre të punës për arrestimin që kanë kryer.

“Oficerët e ndershëm të Policisë së Shtetit po diskriminohem dhe demotivohen, po u bëhet terror. Në Policinë e Shtetit ka shumë oficerë policie të ndershëm, të cilët e bëjnë punën me profesionalizëm, ndershmëri dhe për të mirën e vendit. Ndër ta janë edhe oficerët që arrestuan disa ditë më parë ish kolegun e tyre, Altin Morinën, i cili prej 11 muajsh ishte në kërkim nga SPAK për bashkëpunim me grupet kriminale në kultivimin e kanabisit në Nikël dhe Tapizë gjatë kohës që ishte polic. Këta oficerë policie që arrestojnë ish kolegët e tyre policë të inkriminuar, kanë mbështetjen e gjithë popullit sepse këta efektivë i duhen vendit, të zbatojnë ligjin pa u ndikuar se kush është personi që arrestojnë. Si qytetar dhe gazetar i kronikës së zezë ndjehem mirë që ende në vendin tim ka oficerë policie të ndershëm, por ndjehem totalisht i zhgënjyer dhe i shokuar që në kupolën e Policisë së Shtetit vijon ende fryma diskriminuese, demotivuese dhe që i bëjnë terror oficerëve të ndershëm të policisë se arrestuan një person që shumë drejtues nuk donin që të arrestohej. Disa prej këtyre oficerëve të ndershëm janë lëvizur nga vendet e punës për t’u transferuar në vende të tjera sepse bënë “gabim” duke kryer detyrën sipas ligjit. E tmerrshme çfarë ndodh në vendin tonë. Kjo situatë është alarmante dhe shpresoj që të mos jetë e vërtetë pasi është ulëritëse. Kupola e Policisë së Shtetit nuk mund të sillet si bandë ndaj oficerëve të ndershëm të policisë, por duhet t’i mbështesë,”-shkruan gazetari Çelmeta.

Ndërsa gazetarja Klodiana Lala ka kërkuar transparencë nga ana e Drejtorit të Policisë, Ilir Proda, i cili sipas saj duket që të dalë për të bërë një sqarim lidhur me atë që po ndodh në Komisariatin nr.2 të Tiranës. Po ashtu, shton, se për këtë rast ka nisur hetimet edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

“Arrestimi i Altin Morines, ish-oficer i RENEA-s eshte shoqeruar trazira ne polici. Shefi i krimeve te komisariatit nr.2 ne Tirane eshte trasferuar. Shefi i komisariatit ka kerkuar formalisht doreheqjen. AMP ka nisur hetimet. Ilir Proda ke detyrim trasparencen, ndryshe je pjese!,”-shkruan Lala.

Kërkesave për një reagim i është përgjigjur vetë Policia e Shtetit. Me një njoftim zyrtar, shkruhet se ka përpjekje të vazhdueshme nga Partia Demokratike për të hedhur baltë mbi punën që bëjnë uniformat blu. Sipas Policisë, qëllimi i vetëm i deklaratave të shpërndara nga opozita kanë për qëllim që të cënojnë besimin që kanë qytetarët tek institucionet ligjore.

“Deklarata e sotme nuk është asgjë tjetër veçse vijim i përpjekjeve të përditshme, duke sajuar e akuzuar pa të drejtë qindra mijëra punonjës të Policisë së Shtetit dhe stafet drejtuese të tyre. Sqarojmë opinionin publik se Policia e Shtetit nuk ka refuzuar asnjëherë të përmbushë detyrat e ngarkuara sipas ligjeve në fuqi. Këto sulme, duke tentuar të intimidojnë strukturat dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit, kanë vetëm një qëllim, të frenojnë revanshin e ligjit në territor ndaj çdo paligjshmërie, si dhe të krijojnë krisje të besimit të qytetarëve te Policia, e cila është institucioni më i besuar nga qytetarët, bazuar kjo në anketimet e bëra nga organizatat ndërkombëtare që asistojnë punën e Policisë së Shtetit,”-shkruhet ndër të tjera në reagimin zyrtar të Policisë.

Reagim i Policisë së Shtetit

Policia e Shtetit shpreh indinjatën e thellë për përpjekjet e vazhdueshme të përfaqësuesve të subjektit politik “Partia Demokratike” për të përbaltur punën e Policisë së Shtetit, punë e cila vlerësohet përditë nga partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese më prestigjioze ndërkombëtare. Deklarata e sotme nuk është asgjë tjetër veçse vijim i përpjekjeve të përditshme, duke sajuar e akuzuar pa të drejtë qindra mijëra punonjës të Policisë së Shtetit dhe stafet drejtuese të tyre. Policia e Shtetit, siç ka treguar besueshmëri e profesionalizëm, përkushtim e vendosmëri përkrah partnerëve në luftë kundër krimit, edhe me agjencitë ligjzbatuese brenda vendit ka të njëjtin standard dhe marrëdhënie mjaft të mira në interes të zbatimit të ligjit. Sqarojmë opinionin publik se Policia e Shtetit nuk ka refuzuar asnjëherë të përmbushë detyrat e ngarkuara sipas ligjeve në fuqi, por i ka zbatuar dhe përmbushur ato me profesionalizëm e konform ligjit. Këto sulme, duke tentuar të intimidojnë strukturat dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit, kanë vetëm një qëllim, të frenojnë revanshin e ligjit në territor ndaj çdo paligjshmërie, si dhe të krijojnë krisje të besimit të qytetarëve te Policia, e cila është institucioni më i besuar nga qytetarët, bazuar kjo në anketimet e bëra nga organizatat ndërkombëtare që asistojnë punën e Policisë së Shtetit. Për Policinë e Shtetit, qytetari dhe ligji janë të shenjta, dhe këtë aleancë nuk do të mund ta cenojnë shpifjet nëpërmjet shkrimeve në rrjete sociale e portale apo deklaratat politike. Cilido punonjës policie që do të shkelë këtë aleancë dhe do të bëhet palë me paligjshmërinë, do të marrë ndëshkimin më të ashpër sipas ligjit, duke u përballur me drejtësinë dhe me largimin e menjëhershëm nga radhët e Policisë së Shtetit. Garantojmë qytetarët dhe të gjitha subjektet politike se Policia e Shtetit është tërësisht e baraslarguar nga subjektet politike dhe e fokusuar vetëm në zbatimin e ligjit, garantimin e rendit e sigurisë përgjatë fushatës elektorale dhe paprekshmërisë së votës gjatë ditës së votimit.

Kush është Altin Morina?

Ish-efektivi i RENEA-së, Altin Morina ishte shpallur në kërkim që në maj të vitit 2024 në kuadër të operacionit “Revanshi”. Ndërsa në dosjen “Revanshi” sipas SPAK, Altin Morina ka bashkëpunuar me Durim Bamin për kultivimin e kanabisit në zonën e Niklës dhe Tapizës në vitet 2019-2020.

Advertisement