Aktualitet
Bashkëshorti i vrau motrën, flet gruaja: U nxeh se nuk i hapi telefonin
Bashkëshortja e 58-vjeçarit që vrau motrën e saj, Ema Qevani në Elbasan tha për mediat se konflikti ishte i papritur. Duke folur për mediat, ajo u shpreh se Tefik Tashi, me të cilin ishte martuar prej dy vjetësh, ishte nxehur me viktimën se nuk i kishte hapur telefonin. Ajo thotë se kërkon që drejtësia të vihet në vend për vrasjen e motrës dhe se bashkëshortit të saj t’i jepet dënimi që meriton.
“Unë dhe motra ishim tek arat. Ishte nxehur pse nuk e hapi telefonin, asgjë tjetër. Më përpara ziheshin kot, por asgjë konkretisht, për punët e shtëpisë. Me mua nuk ka pasur konflikte bashkëshorti. Kishte pirë një ditë dhe u zunë dhe motra e mori inat të madh dhe prandaj nuk e hapte telefonin. Kam 2 vite që jam martuar. Merrej me pastrim. Lindi konflikti pse nuk e hapte telefonin. Të dyja ishim aty. Nuk e mbanim dot më se ai ishte i fortë. Aty nuk kishte njeri. Nuk e di se kush e njoftoi ambulancën, por erdhi një polic e më pas ambulanca. E sollëm ne motrën deri para derës. Kërkojmë drejtësi dhe dënimin deri në fund që e ka hak. Nuk ka pasur konflike, as me mamanë dhe as me babain. U zu kot se pse nuk e hapi telefonin. Nuk ishte i alkoolizuar. Unë erdha nga puna. Do të ketë qenë tek shtëpia se ne nuk ishim aty,” tha ajo.
Mamaja e 44-vjeçares, tepër e shokuar nuk ka dashur të flasë për mediat, megjithatë ajo ka thënë që nuk kanë pasur konflikte më herët dhe se arsyen pse e ka vrarë e di 58-vjeçari.
“Na lini rehat, nuk kam hall njerëzish. Nuk kemi pasur konflikte më herët. E di ai pse e vrau. Goca me gjithë motrën ishin me dele. Na lini rehat o njerëz. S’ka mirë për ne”, tha nëna e viktimës.