Connect with us

Shkrime

Bashkimin e kujt PD ka në dorë Lulzim Basha

Nga Ylli Pata

Kreu i Partisë Demokratike thuajse zhvilloi një duel në kohë reale me Gaz Bardhin në qarkun Dibër, këtë fundjavë. Të dy palët kanë folur për bashkim, por secila palë ka mbledhur të vetët. Të cilët që prej shtatorit 2022 janë tashmë grupe në terren që punojnë kundër njëri-tjetrit.

Si Basha, ashtu edhe Bardhi, përdorin retorikën e bashkimit, në një terren të ndarë, madje edhe më të ashpër se ai në qendër. Shto këtu se qënia e njerëzve që militojnë në opozitë, pa asnjë shpërblim pushteti, irriton edhe më tepër terrenin, dhe e bën atë më fertile të lojrave apo lobimeve që më shumë se një skanim real të elektoratit, mashtrojnë në mënyrë virtuale forcën e tyre potenciale.

Situata është krejt tjetër ngase e japin dy palët. Lulzim Basha, ka pas vetes një strukturë të mbijetuar të PD-së nga sulmi i egër i foltores për të gjithë këtë kohë. Strukturë, e cila ka ruajtur një lloj rregullsie të bazës së PD-së, por me një veçanti. Të gjithë ose pjesa më e madhe e kësaj strukture, është anti-Berishë në kuptimin politik të fjalës, por më shumë është anti grupit të deputetëve që përfaqëson Gazment Bardhi. Anëtarët e seksioneve të PD-së në 61 bashkitë e vendit, që drejtohen nga kryetarët e degëve, jo vetëm që nuk i duan, por u kanë treguar vendin me kohë këtyre deputetëve.

Ky grupim politik, ka marrë një votë proporcionale në zgjedhjet e 14 majit 2023 që shkon pak më shumë se 100 mijë vota. Një numër i kufizuar, por që ka ardhur si pasojë e ndalimit të PD-së që të bëjë betejë për kryebashkiakët. Handikapi tjetër janë sondazhet që e nxjerrin PD-n e Bashës me shifrat e vjetra ku ka qëndruar ish-LSI-ja e Ilir Metës. Duke paraqitur si forcë të dytë Foltoren e Berishës, e cila ka brenda saj edhe zgjedhësit e Metës.

Ndërkaq, Foltorja si një realitet politik në territor është margjinal, mbledh rreth vetes të gjithë kundërshtarët e Bashës dhe të zgjedhurve të tij në bazë, të cilët në realitet nuk kanë asnjë fuqi në territor. Nga ana elektorale, ky formacion së bashku me PL e Ilir Metës, përsuan një fundosje politike spektakolare më 14 maj 2023.

Po kush mund të bashkohet dhe përse? Në realitet nuk kemi të bëjmë me dy parti, kemi të bëjmë me dy grupime që duan të rimarrin partinë që shkatërroi Sali Berisha por edhe opozita e gjatë.

Këto dy pjesë nuk mund të bashkohen asnjëherë me njëri-tjetrin, pasi kanë luftuar deri në asgjësim për disa vite.

Për foltoren, siç e tregoi edhe 14 maji, beteja është shumë e vështirë, pasi edhe sikur të marrin me vete 4.5 përqindëshin e votuesve të PD-së së Bashës që nuk e marrin kurrë, ata mbeten sërish në margjina, e shumë shpejt do të shkojnë në një shkrirje alla karbit në ujë.

Kjo pjesë politike, edhe nëse merr jo Gaz Bardhin, por edhe figura krejt të reja, nuk do të arrijë kurrë të prekë elektoratin gri, ngase kanë Sali Berishën kryetar, që është realisht simboli politik i partisë. E këtë e japin edhe sondazhet që ngazëllejnë foltoristët.

Ndërkaq, Lulzim Basha, nëse kërkon bashkim, atë do të duhet ta kërkojë me ata njerëz që PD i ka larguar ndër vite, me zgjedhësit që e braktisën “Bashkimin për Fitore” më 14 maj 2023 dhe jo me strukturat e dobëta e pa rrënjë në bazë të Rithemelimit.

Por këtu sfida e Lulzim Bashës është më e madhe se më parë, madje më e madhe edhe kur mori vendimin e jetës; përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së. Të paraqesë para njerëzve, në fakt ta formojë njëherë, grupin që do të përfaqësojë PD-në në zgjedhjet e ardhshme. Madje e mira e të mirave, do të ishte që të nxjerrë në fushë edhe një ekip rezervë që mund të jetë skuadra për bashkitë në zgjedhjet e ardhshme.

Natyrisht së bashku me program, plan të qartë politik, ekonomik, e jo sofizma apo lëvizje dame për të treguar se janë në fushë. Lulzim Basha, nëse do të bëjë reformë zgjedhore, do të duhet ta bëjë vetëm me një faktor: Partinë Socialiste. E për këtë i duhet të dialogojë, konfrontojë e diskutojë papushim deri sa të arrijë një akord për një variant të pranuar. Ose, të mos bëjë asnjë akord, por të propozojë një referendum popullor për të rrëzuar systemin aktual. Me një pyetje të vetme: a jeni ju për të rrëzuar systemin aktual zgjedhor dhe për ta zëvendësuar me një sistem proporcional kombëtar? Këtu të bëjë betejën e jetës, e nëse kjo merr konsensus, qoftë edhe në sondazhe që mund t’i nxisë me mekanizmat e saj, e ka fituar betejën. Ka bashkuar zgjedhësit, duke lënë në bisht ata struktura që jo vetëm që nuk kanë ndërmend, por nuk do të bashkohen kurrë…

Shkrime

Shqipëria dhe Greqia nuk flasin hapur për thelbin e krizës mes tyre

Nga Mero Baze

E vërteta është se raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë në krizë, por të dy palët nuk i referohen thelbit të kësaj krize, por shkaqeve që gjejnë rrugës. Shqipëria bën rolin e viktimës duke u nisur nga retorika e Greqisë për rastin Beleri, por në fakt ajo që Shqipëria po kundërshton, është ndjenja e paternalizmit që Greqia ka ndaj Shqipërisë historikisht.

Nga ana tjetër Greqia që bën sikur ka në dorë integrimin evropian të Shqipërisë, po ashtu është realisht e shqetësuar nga indiferenca me të cilën Shqipëria po i merr kërcënimet e saj, se sa nga fati juridik apo politik i Belerit.

Fjalimi i Edi Ramës në Athinë ishte një gjarpërim mes fjalësh për të thënë se nuk jemi më ata që kemi qenë dikur në vitet 2000, kur pritja e ambasadës greke, kishte më shumë të ftuar se pritja e presidentit të Republikës dhe kur për një drejtor drejtorie vendosej në Athinë. Nuk ishte i sinqertë as kur i referohet krizës formale shkaktuar nga arrestimi i Belerit, kur bën sikur mbron pavarësinë e drejtësisë shqiptare, dhe bën si viktimë e mendësisë nacionaliste greke.

E vërteta është se thellë thellë, Edi Rama, mezi pret të dëgjojë çdo gjë kundër SPAK prej Greqisë, pasi kështu forcon fabulën e tij për distancën që ka me drejtësinë e re, dhe po bën gjithçka që Greqia të vazhdojë ta mbajë ndezur këtë retorikë e cila e nxjerrë atë, më të mirë se sa është, në Bruksel.

Ajo për të cilën ai bën si viktimë e sulmit të politikës greke ndaj tij, është në fakt nderi më i madh që po i bën Greqia, ndërsa ajo që ai nuk e thotë hapur dhe grekët nuk e pranojnë dot, është se ai thjesht nuk e konsideron rrezikun grek për anëtarësim në BE. Madje e lut që Greqia të jetë në anën tjetër të barrikadës, pasi kështu ka dhe një arsye më shumë patriotike për një fjalim të ri.

Edhe më i pasinqertë është kryeministri Micotaqis në dy raste. E para në deklaratat e tij të sotme, ai padashje e nxjerr pikërisht ndjenjën e paternalizmit ndaj Shqipërisë reflektuar tek ideja që rruga e Shqipërisë për në BE kalon nga Greqia, por këtë e maskon me çështjen Beleri. Çështja Beleri në aspektin e rrugës evropiane është në favor të Shqipërisë dhe jo të Greqisë. Kjo tanimë është e provuar me qëndrime zyrtare të Bashkimit Evropian dhe SHBA. Ndjenja e paternalizmit grek ndaj Shqipërisë po. Ajo është reale dhe dominon mendësinë e politikës greke. Dhe Greqia ngjan nervoze se në Shqipëri është bërë e parëndësishme.

Së dyti Mictoaqis gënjen kur thotë se nuk kishim pse e pengonim Edi Ramën të bënte vizitë në Athinë. Negociatat e dy palëve mund të shërbejnë për një serial Netflixi, për qindra probleme që nxori qeveria qendrore duke bërë presion mbi çdo pronar salle në Athinë që të mos e pranojë takimin me kryeministrin shqiptar dhe mbi çdo inxhinier grek të mos firmoste garancinë për sallën, dhe i hapi rrugë kur e pa që çështja u bë e rëndësishme dhe mund të dominonte fushatën e tyre elektorale.

E vërteta e thjeshtë është se rruga e Shqipërisë për në Evropë, mund të kalojë edhe nga Athina, nëse Athina është në një gjatësi vale me Evropën, por në rastin e Belerit që i referohet Greqia, nga Athina mund të kalohet për ndonjë buzuk, por jo për në Bruksel.

Kurse sa i takon shqetësimit që ka krijuar SPAK në politikën shqiptare, është ku e ku më larg se ai që ka krijuar në politikën greke. Dhe në këtë rast Micotaqis ka plot aleatë të heshtur në Shqipëri, përfshi dhe ata që thonë jemi me SPAK. Ndaj lodhet kot të na shpjegojë që SPAK ka gabuar. Po qe se shpëton politikën shqiptare nga SPAK-u, në emër të Evropës, janë gati ta marrin në supe të gjithë.

Atëherë mund të ribëhet i rëndësishëm për politikën shqiptare. Duke kërcënuar për integrimin evropian, nuk tremb njeri, pasi integrimi evropian, nuk është ndonjë rrezik më i madh se SPAK për politikën shqiptare. Eshtë vonë shumë dhe i paqartë se si mund ta tremb politikën shqiptare.

Continue Reading

Shkrime

Dialog?! Për çfarë? Për ta rikthyer Serbinë në Kosovë?

Nga Enver Bytyçi

Vendet e QIUNT-it, d.m.th. ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, kanë kritikuar qeverinë e Kosovës pse kjo e fundit nuk lejoi para pak ditësh kryepeshkopin e Serbisë, Porferije, të hynte në territorin e saj.

E sigurt është se presidenti i Serbisë është ankuar te presidenti Macron për këtë fakt, edhe pse të gjitha këto ambasada e dinë arsyen pse Proferije nuk u lejua në Kosovë. Sepse Patriarkana e Pejës nuk ekziston, ajo është transferuar nga Peja në Serbi para shumë shekujsh. Sepse kjo Patriarkanë ishte dhe mbetet shpikje e Serbisë. Ajo as nuk ishte krijuar në Pejë, por në një fshat afër Kragujevcit, diku në Serbinë e sotme qendrore. Si e tillë, Kisha Ortodokse e Serbisë dëshiron të rikthehet në territorin e Kosovës, pra në Pejë, ndërkohë që është një institucion fetar me qendër në Beograd.

Kreu i Kishës Ortodokse të Serbisë dëshiron të vijë në Kosovë e të thotë se “Kosova është djepi i shpirtit serb”, pra se në Kosovë, praktikisht në Pejë, paska lindur Krishti i serbëve, shën Sava! Këtë të vërtetë ai e pohoi pas kthimit mbrapsht në Beograd kur u zotua se “Serbia do të kthehet në Kosovë”!

Ndërkaq u kërkohet autoriteteve të Kosovës të pranojnë diçka që nuk ekziston në Kosovë. Të pranojnë që poet serbë të vijnë nga Beogradi në Kosovë për t’u thënë serbëve të Kosovës “Mos u integroni në shtetin dhe institucionet e vendit, sepse Kosova do të rikthehet nën Serbi”! Ambasada e Francës dhe të katër vendeve të QUINT-it i njohin dhe i dinë këto fakte. Pse atëherë bëjnë presion mbi qeverinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të saj?!

Shtetet e QUINT-it janë një forum konsultativ në funksion të shtetësisë së Kosovës. Ato për një periudhë kohe kishin nën vëzhgim, sipas Planit Ahtisaari, pavarësinë e Kosovës.

Dhe është e natyrshme që ky vëzhgim të vijojë, edhe pse “periudha e pavarësisë së vëzhguar” ka përfunduar para shumë vitesh. Kur u krijuar ky forum, ato premtuan ta ndihmojnë Kosovën për forcimin e shtetësisë dhe institucioneve. E në fakt po ndihmojnë në çdo rast Serbinë të jetë e pranishme në Kosovë,  madje nuk harrojnë thonë se këto vërejtje i bëjnë “për të mirën e Kosovës”! Së paku nuk duhet që t’i marrin shqiptarët për njerëz injorantë e kaq naivë. Nuk duhet gjithashtu t’u besojnë më serbëve, sipas të cilëve “shqiptarët janë njerëz me bisht”!

Nga ana tjetër, sipas deklaratës së ambasadave të QUINT-it, moslejimi i kryepeshkopit të Serbisë të hyjë në Kosovë “është në kundërshtim me Pakon e Ahtisaarit dhe me obligimet për dialogun”.

Edhe këtu ka diçka përtej këtyre spekulimeve. Pakoja e Ahtisaarit ka parashikuar njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë dhe sjelljen e Kosovës ndaj Beogradit e kushtëzon me njohjen. Kurse ambasadorët që “e duan Kosovën aq shumë”, i kundërvihen vetëm Kosovës dhe i kujtojnë asaj detyrimet e Pakos së Ahtisaarit, ndërkohë që me Serbinë nuk kanë as vullnet, as dëshirë të sillen me të njëjtin kut. Për këtë arsye ka zhgënjim të madh jo vetëm te qytetarët.

Dialogu Kosovë-Serbi, ashtu si Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë, u imponuan nga administrata Obama dhe ishte “për çështje teknike”. Kështu është thënë në vitin 2011, kur u imponua me kushtet e 9 pikave të Ban Ki Mun. Megjithatë nën kujdesin e këtyre pesë vendeve të QUINT-it ai shndërrua në dialog politik dhe tani jemi në pikën kur bëhen përpjekje për të revokuar pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.

Continue Reading

Shkrime

Pritini kokën Albin Kurtit, por…

Nga Andi Bushati

Kori i rakorduar i kundërshtarëve të Albin Kurtit mes Tiranës dhe Prishtinës është riaktivizuar sërish, duke marrë këtë herë si pretekst një episod të ri të një refreni të vjetër: atë se kokfortësia e kryeministrit të Kosovës po thellon çarjen me perëndimin. Shkak për valën e kësaj here është bërë refuzimi që i shteteve kryesore të BE, për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kurti po akuzohet se i tha një “JO” të prerë futjes së një kushti të ri, atij të ndërlidhjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me kriteret e pranimit në KiE. Ai e etiketoi si “absurd” këtë pretendim dhe nuk pranoi të bëjë pazar për të marrë antarësimin në një organizëm të rëndësishëm të kontinentit, në këmbim të bosnjëzimit të vendit të vet.

Natyrisht, pavarësisht nga arsyet apo justifikimet, “JO”-ja e tanishme nuk është një lajm i mirë. Mospërfundimi i antarësimit të plotë pasi pjesa dërrmuese e asamblesë parlamentare ka votuar me shumicë dërrmuese pro Kosovës, i jep gjithësecilit të drejtën të flasë për një dështim. Por, përtej këtij konkluzioni sipërfaqësor, konteksti dhe rrethanat e këtij refuzimi duhen analizuar.

Në radhë të parë ato krijojnë një kontradiktë sistemore mes deputetëve të asamblesë parlamentarëve që votojnë dhe vendimmarrjes të qeverive që shërbeu si veto. Ajo e shndërron në absurd krejt procesin e antarësimit në KiE. Së dyti, ajo nxjerr në pah edhe një kontradiktë tjetër. Dihet se Këshilli i Evropës ka në fokus të tij të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të tij.

Si i tillë, anëtarësimi i Kosovës në të do të nënkuptonte automatikisht më shumë garanci edhe për serbët lokalë. Prezenca në KiE dhe futja  automatikisht në juridiksionin e Gjykatës të të Drejtave të Njeriut do i mbronte ata më shumë edhe sesa vetë asocacioni i i kërkuar me këmbëngulje nga Beogradi.

Por duket se vendet kryesore të perëndimit janë të gatshme të testojnë edhe dobësinë e institucioneve të tyre edhe të injorojnë interesat konkrete të qytetarëve serbë të Kosovës, vetëm për të arritur një qëllim: të vazhdojnë përpjekjen e kotë për të përkëdhelur Aleksandar Vuçiçin, që i shntazhon sistematikisht pqrmes aleatëve të tij Putin dhe Xi Jimping.

Duhet të jemi realistë, kushti për të penguar Kosovën si anëtare të 47 të Këshillit të Evropës ka qenë një lobim i hapur i Beogradit. Për interesa gjeopolitike fuqitë evropiane e pranuan atë. Ashtu sikurse pranauan marëveshjen e Brukselit dhe aneksin e saj të Ohrit, pavarësisht se Vuçiçi e kishte krahun e sëmurë për ta nënshkruar, ndërsa Prishtina qe e gatshme ta bënte.

Këto standarte të dyfishta u panë edhe në kërkesën gojore, ndryshe nga sa parashihnin draftet e planit franko gjerman, për të filluar së pari punën me asociacionin. Ato u theksuan më tepër me fajësimin e Kosovës për krizën në katër komunat veriore, ndonëse dukej qartë se Beogradi ishte ideatori i kaosit të krijuar. Ato kulmuan me vendosjen e sanksioneve ndaj Prishtinës dhe me ledhatimin e presidentit serb, edhe pasi ky dërgoi paramilitarët e vet, të kryesuar nga Radioçiç të kryenin sulmin terrorist në Banjskë.

Pra e gjithë kjo kronologji të çon në një konkluzion të stërthënë, të pranuar në mënyrë të zëshme edhe nga shumë politikanë dhe analistë në Evropë e SHBA, atë të kristalizimit të një politike prendimore që do të sakrifikojë interesat e Kosovës me shpresën për të mos lënë të dalë nga vatha Vuçiçin.

Ky është edhe thelbi i konfiktit të fundit me veton për antarësimin në KiE, që Franca dhe Gjermania e kushtëzuan, papritmas, me shpënien e draftit për asocacionin në Gjykatën Kushtetuese.

Pyetja që shtrohet përpara të gjithë armiqve, kritikëve të Albinit apo servilëve të shpallur të fuqive të mëdha është: çfarë duhet të bëjë një lider kosovar kur atij i kërkohet, nga aleatët e vet, të nënshkruajë koncesione në favor të Serbisë? Ti bindet qorrazi? Apo ti rezistojë me koston jo të lehtë të sanksioneve personale dhe vonesave për vendin?

Pa zgjidhur këtë dilemë nuk mund të kesh një pozicion të ndershëm dhe të drejtë në raport me veprimet dhe aktet e Kurtit. Ndaj tij mund të jesh i ashpër, t’i kërkosh politikisht madje dhe kokën, ti vësh në dukje shkarjet në koherencë, taktizimet për të fituar kohë, piruetat për të shmangur trysninë e tmershme ndërkombëtare, por nuk mund ti kërkosh asesi shitjen e mandatit për të cilin është votuar.

Se ç’ndodh në raste të tilla e kemi parë shpesh herë, madje e provoi së fundi edhe fati i LSDM në zgjedhjet në Maqedoni. Forca politike që sillen si lakej të ndërkombëtarëve, në të kundërt asaj që do dhe kërkon populli i tyre, rrezikojnë të zhduken nga harta elektorale. Përpos kësaj, ata i hapin rrugën partive dhe rrymave gjithnjë e më nancionaliste dhe anti perendimore.

Mund të duket tejet paradoksale, por ajo që kritikohet si rezistenca kokfortë e Albin Kurtit, po e mbron Kosovën nga ngjizja e sentimenteve kundër vendeve aletate për shqiptarët. Duke i thënë atyre jo për polotësimin e kërkesave të Serbisë qeveria e Vetëvendosjes po ruan vazhdimsinë e besimit tek SHBA dhe BE.

Pikërisht kjo vlen edhe për mospranimin e veçimit së Asociacionit nga paketa e marrveshjes që pretendohej se do të prodhonte njohjen “de facto” të Kosovës. E këtu duhet qëndruar, qoftë edhe me çmimin e padrejtë të vonesës së antarësimit në KiE.

Continue Reading

Shkrime

Gabimi i rëndë i Perëndimit me Albin Kurtin

Profesori në universitetin amerikan Johns Hopkins dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, e sheh si të padrejtë kushtëzimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me krijimin e Asociacionit.

Duke kritikuar atë që e sheh si diplomaci të keqe, nga SHBA dhe BE, ai mbështet qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti dhe thotë se Asociacioni duhet të krijohet vetëm pasi Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

Serwer u shpreh se “Kosova duhet të jetë gati për një përshkallëzim të ri të situatës me Serbinë, dhe i bëri thirrje SHBA që përveç raketave të dërgojë në veri edhe dronë”.

Duke folur për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Serwer ka përmendur edhe Asociacionin si kusht që i është vënë Kosovës nga Franca dhe Gjermania për futjen në agjendën e Këshillit të Ministrave, duke thënë se kjo është e padrejtë.

“Nuk është e drejtë. Mendoj se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është diçka për të cilën është rënë dakord në vitin 2013 në këmbim të gjërave që Serbia duhej të bënte, duke përfshirë pjesëmarrjen e plotë të serbëve në institucionet qeverisëse, shtrirja e autoriteti ligjor kushtetues të Prishtinës në veri të Kosovës dhe një sërë gjërash që Serbia nuk i ka bërë. Pra, të kërkohet nga Kosova që të përmbushë detyrimet e Marrëveshjes së vitit 2013 pa marrë asgjë nga në këmbim, është një gabim i rëndë dhe diplomaci e keqe”- ka thënë analisti amerikan duke potencuar gjithashtu se po minohet definitivisht edhe besueshmëria tek bashkësia ndërkombëtare.

“Njerëzit në Kosovë dhe në vende të tjera po kuptojnë se bashkësia

ndërkombëtare nuk i përbush angazhimet e veta, diçka që kufizon levën e saj të ndikimit. Mendoj se është koha të kuptohet se Këshilli i Evropës është një hap i nevojshëm për Kosovën që do të përmirësonte kushtet për serbët në veri.

Prishtina ka bërë gjithçka që i është kërkuar, përfshirë zbatimin e marrëveshjes për pronën e Manastirit të Deçanit”- theksoi Serwer duke shtuar se i jep të drejtë kryeministrit Albin Kurti që nuk pranon krijimin e Asociacionit si kusht për anëtarësim në KiE, me argumentin se nuk ka asnjë lidhje mes dy gjërave.

“Kurti ka absolutisht të drejtë se ky nuk është një kusht i duhur për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por unë do të shkoja edhe më tej. Unë do të thosha se Asociacioni është diçka që duhet të arrihet vetëm kur Serbia të jetë e përgatitur të njohë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. E dini, evropianët tregojnë për shoqatat e shumta që tashmë ekzistojnë brenda BE-së, të cilat janë të krahasueshme me asociacionin e komunave me shumice serbe. Por, të gjitha ato shoqata ekzistojnë në vendet që e njohin njëri-tjetrin. Është shumë e qartë se çfarë po përpiqet të arrijë Beogradi me Asociacionin. Ata e thanë qartë, publikisht, se po përpiqen të mundësojnë një qeverisje të veçantë të popullatës serbe, të paktën në veri. Dhe ky është një objektiv që duhet të refuzohet nga komuniteti ndërkombëtar” – theksoi Serwer dhe sipas tij, Perëndimi po përpiqet të zbusë Serbinë dhe të vendosë kushte strikte ndaj Kosovës………

Ai ka folur edhe lidhur me armatimin e Serbisë rrezikun e përshkallëzimit të situatës në Kosovës, duke thënë se “ekziston rreziku i përshkallëzimit dhe mendoj se është e rëndësishme që Kosova të përgatitet për këtë”.

“Një nga gjërat e mira që kanë bërë amerikanët është autorizimi i shitjes së raketave antitank Javelin në Kosovë. Do të doja të shihja që edhe disa dronë të shkojnë në Kosovë. Unë mendoj se Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë nevojë për pajisjet, trajnimin, organizimin e nevojshëm për të penguar çdo përpjekje të Serbisë për të pushtuar territorin, veçanërisht në veri”, tha analisti amerikan Daniel Serwer.

 

 

Continue Reading

Shkrime

Edhe Rama do ta votonte Gazmend Bardhin për kryetar të PD

Nga Lorenc Vangjeli

Nëse Sali Berisha është mbreti i kurorëzuar, Gazmend Bardhi është princi i errët i inkoherencës. Të dy së bashku, në një listë ku nuk mungojnë as politikanët më të rëndësishëm shqiptarë. Berisha dhe Bardhi janë at e bir në zanatin e mohimit total të asaj që kanë pohuar më parë si të vërtetë absolute, të pranimit të krejt të kundërtës të asaj çfarë kanë refuzuar me ngulm, ustallarë abrakadabra në zanatin e të bërit mik të armikut dhe për t’u sjellë me armiqësi brutale me ish-miqtë. Në çdo rast dhe rast pas rasti, sa herë që interesi ju ka lypur, ata nuk kanë hezituar të përmbysin tryezën që kishin shtuar vetë për gosti dhe për të bërë gosti në tryezat e gjithë dynjasë. Edi Rama e Ilir Meta, për shkak të jetëgjatësisë në politikë, kanë notuar në të njëjtat ujëra të errëta, kur rrjedha e interesit i ka çuar në drejtim tjetër, në të njëjtën luhatje lavjerësi mes skajesh që kundërshtojnë njëri-tjetrin, por më së paku ata përfaqësonin dy parti të ndryshme. Askush tjetër nuk e ka bërë këtë gjë, brenda të njëjtës familje politike si Berisha e Bardhi. Askush si ata nuk ka konsumuar atë vlagë urrejtjeje të dikurshme dhe dashurie reciproke të tashme që çmend edhe kujtesën e google-it. Dhe mbi të gjitha, formulimin e gënjeshtrës publike që as nuk skuq zvjerdhjen dhe as nuk zverdh skuqjen nga turpi publik, kur interesi dikton ndryshe. Dilema nëse e ka kallëzuar apo jo vëllain e kryeministrit, Ramën Jr., ishte vetëm stacioni i fundit i një marrëzie që ka për autor absurdin. Ose ka, ose nuk ka kallëzim penal dhe vetë SPAK-u thotë jo! “Askush nuk na ka trokitur në derë, ndaj nuk ka asnjë kallëzim mbas dyerve tona”, ishte sqarimi i fundit që nuk skuqizverdhi Bardhin.

Deri në momentin e kapërcimit të ylberit të radhës, Bardhi, ose fenomeni Gaz në pandeminë parapolitike shqiptare, ishte padyshim një nga dy-tre deputetët e vetëm opozitarë që ka pasur një bilanc konkret. Madje të lavdërueshëm dhe të jashtëzakonshëm. Autor i ekzekutimit politik të një numri mbresëlënës deputetësh të maxhorancës apo kryetarësh bashkish, askush si ai nuk ka shfrytëzuar fushën e veprimit të ligjit të dekriminalizimit. I qartë dhe i artikuluar, metodik dhe cinik në atë luftë me disa beteja të njëpasnjëshme, Bardhi trysnoi opinionin publik me zbulimet e tij për të shkuarën e tyre dhe u bë shkas për ndëprerjen e mandateve të marra në kundërshtim me ligjin. Edhe pse i llogaritur dhe i pjesshëm – në dosjet e tij janë të paktën dy emra drithërues të majtë, viktima direkte të dekriminalizimit, që ai po i kursen për arsye të tjera – me standartet e Tiranës, llogaria dhe orientimi nuk hyjnë në listën e mëkatëve politike. Dhe askush nuk mund ta fajësojë atë. Ajo çka e bën atë princ dhe pasardhës të Berishës është krejt tjetër gjë. Eshtë pirueta alogjike që ai morri së paku në harkun e një viti e gjysmë. Duke nisur me dimrin e vitit të shkuar, kur nga krahu i djathtë i ish-shefit të tij Basha, ai zgjodhi supin e Saliut për t’u mbështetur për bastin e tij personal. Kush ka harruar – dhe në Tiranë kujtesa është vetëm virtyt i google – mund të shënjojë ashpërsinë e tij me Sali Berishën mbas përjashtimit të ish-kryeministrit nga grupi PD. Asokohe Bardhi ishte zëdhënës i grupimit që nuk e falte për asgjë “babin e Zenit” dhe nuk kursente për parim as vilat e Nokës e Shehut dhe as banditët trafikantë që i shërbenin njerëzve të partisë së tij. Sa më shumë heshtte Basha, aq më shumë shpërthente Bardhi që kishte marrë flamurin amerikan për të mposhtuar antiamerikanët e partisë. Njëlloj si ai, edhe një numër mbresëlënës demokratësh që non grata-n e shihnnin si vijë ndarëse mes të mirës dhe të keqes në parti dhe si ylberin që nuk mund ta kapërcehej për asnjë arsye. Por në fakt arsyet u shpikën dhe ylberi u kalua në mënyrën më të pabesueshme. Njëri pas tjetrit, si delet në shpellën e Ciklopit, ata dolën nga dyert e blinduara të PD-së për t’u përqafuar me Ciklopin e tyre sepse “…ky ishte vullneti i bazës së partisë”. Por kjo është vetëm ajo që duket dhe dukja përgjithësisht është gënjeshtare. Thelbi qëndron gjetkë. Me teknologjinë e puthjes aty ku kishte pështyrë, Gazmend Bardhi më së shumti, po tenton të imponohet në parti me një skemë të qartë: Pavarësisht formës, unë jam e njëjta gjë me Berishën! Pavarësisht se do të humbasim në 2025-ën, unë do të firmos listat e 2029-ës. Ky është thelbi i arsyeve për mozaikun e ri të interesave, aleancave, miqësive dhe armiqësive të reja në PD. Të raporteve të ndërlikuara mes Bardhit e Këlliçit, për shembull dhe një serie emrash të tjera që notojnë në të njëjtat ujëra inkoherence apo edhe hijes së zonjës Malltezi si trashëgimtare në tribunën e nesërme.

Edhe përdorimi i skandaleve të qeverisjes, e mbi të gjitha, edhe kryqëzata kundër bashkisë së Tiranës ka në thelb të njëjtën teknologji e të njëjtën prapaskenë. Përtej dobisë publike të denoncimeve, e pathëna e tyre është një luftë faktorizimi për pozicionet në PD-në e nesërme sërish në opozitë, por dhe një sy i shkelur ndaj rrymave të nëndheshme e kundërthënëse në PS. Një luftë në të cilën, për paradoks, vetë skifterët e PD-së, shkojnë të rreshtuar në aleanca fluide me disa nga kundërshtarët e tyre në dëm të disa të tjerëve. Kur ta kuptojnë se po gabojnë disa fish, kur aksionet e tyre, fjala vjen, në vend që të rrënojë siç duket se duan, po forcojnë Veliajn në PS, kur në vend që të yshtin ndarje mes tij dhe Ramës, vetëm i japin zë tezës së besnikërisë së bashkiakut për qeveritarin që i mbeti besnik edhe kur të tjerët kishin ikur në vitet 2011-2013, kur në vend që të defaktorizojnë SPAK-un, e bëjnë më të rëndësishëm atë institucion, me siguri do të jetë vonë. Do të jenë vonë në dëshpërimin e tyre që ndjek pyetje-përgjigjet: Ku ishe? Asgjëkundi! Çfarë bëre? Hiçmosgjë! Sepse pavarësisht sesi do të ndodhë, princi i inkoherencës, së paku në projektin e tij, kërkon të bëhet pasardhës i mbretit Sali dhe njeriu që do të firmosë listat për deputetë në vitin e largët 2029. Së paku ky është shpjegimi se pse Gazi është kundër Bardhit dhe pothuaj të gjithë janë kundër Gaz Bardhit në PD. Dhe për paradoks, si vëzhgues i hollë i dobësive njerëzore, edhe vetë Edi Rama, në mungesë të Sali Berishës, me siguri do të zgjidhte pikërisht Bardhin për kryetar të PD-së.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING