Connect with us

Aktualitet

Baza e kokainës në banesën e ish-kreut të komunës në Frakull, SPAK çon për gjykim Samir Rosales Rodriguez

 SPAK ka dërguar për gjykim kolumbianin, Samir Rosales Rodriguez i cili u arrestua pas zbulimit të bazës së  kokainës në banesën e ish-kreut të komunës në Frakull. Kolumbiani akuzohet për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Kolumbiani së bashku me grupin e tij trafikoi nga Kolumbia në vendin tonë 485.5 kg kokainë. Nga hetimet rezultoi se lënda narkotike është transportuar dhe është fshehur gjatë transportit nëpërmjet një ngarkese me pleh organik artificial, e paketuar dhe ngarkuar në një kontenier, që është transportuar nga Kolumbia në Portin e Pireut, në Greqi dhe më pas në drejtim të Portit të Barit, në Malin e Zi. Nëpërmjet transportit në rrugë tokësore ngarkesa është futur në Shqipëri më 19 shtator 2022 dhe pasi është zhdoganuar në Doganën e Tiranës, është transportuar në fshatin Frakull e Madhe në Fier, ku dhe është kryer sekuestrimi.

Kokaina ka qënë e përzier me “plehun organik” artificial dhe pas mbërritjes së saj në destinacion, organizatorët e trafikut do të gjenin dhe siguronin personat e specializuar që do të mundësonin ekstraktimin e kokainës së pastër, e cila më pas do të tregtohej. Sipas ekspertimit kimik të kryer nga Instituti i Policisë Shkencore ka rezultuar se nga procesi ekstraktimit do të përfitohej një sasi prej 485.5 kokainë.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 20.12.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin për gjykim të çështjes penale hetuar në kuadër të procedimit penal nr. 141 i vitit 2022, i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të të pandehurit Samir Rosales Rodriguez”.

Në seancën e datës 19.02.2025 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, me vendimin Nr. 6/22/122, datë 19.02.2025, vendosi:

Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Dërgimin për gjykim të çështjes penale hetuar në kuadër të procedimit penal nr. 141 i vitit 2022, i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të të pandehurit: Samir Rosales Rodrigues, i dtl. 01.01.1973, lindur dhe banues në ****, me shtetësi Kolumbiane, mbajtës i pasaportës me nr. ****, i hetuar me masë sigurimi personal “arrest në burg”, e pa ekzekutuar, e caktuar me vendimin nr. 91, dt. 24.11.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të K.Penal. Mbrojtur në gjykim nga av. P.D, anëtare e Dhomës së Avokatisë Tiranë, mbrojtëse e caktuar kryesisht nga gjykata. Urdhërohet formimi i fashikullit të gjykimit duke përfshirë në të aktet e hetimeve paraprake dhe aktet e seancës paraprake.

Advertisement