Connect with us

Sport

BBC: Shqipëria u paraqit guximshëm, bëri për vete shumë tifozë

Shqipëria u eliminua nga Euro 2024 pas humbjes me Spanjën. Një ndeshje e vështirë ndaj një skuadre shumë të fortë, megjithatë kuqezinjtë e provuan. Edhe pse nuk arritën të kualifikoheshin në fazën tjetër, kombëtarja jonë fitoi zemrat e shumë tifozëve të futbollit. Kështu shkruajnë mediat e huaja për kuqezinjtë.

“Shqipëria nuk ka marrë pjesë në asnjë Kupë Bote dhe kjo është hera e dytë që marrin pjesë në Kampionat Europian”, shkruan BBC.

Britanikja shprehet se ishte shumë e vështirë që të kalonin grupin pasi shorti nuk u tregua shumë miqësor. Në grup ishin Spanja, kampionët në fuqi Italia dhe finalistët e Kupës së Botës në 2018-ën, Kroacia.

“Por ata bënë për vete shumë tifozë me performancat e tyre guximtare”, shkruan BBC.

Në qendër të artikullit të BBC vihet rekordi i Nedim Bajramit që shënoi golin më të shpejtë në historinë e Europianëve, vetëm pas 23 sekondash ndaj Italisë.

“Në fund humbën 2-1 me “Azzurri”-t, por në ndeshjen e dytë morën një barazim 2-2 ndaj Kroacisë në kohën shtesë. Shqipëria luftoi fort kundër Spanjës dhe me Brojën që shkaktonte probleme, ata shtynë para për të shënuar një gol që të ishin në vendet e treta më të mira në grup për të mbajtur gjallë shpresat shumë të pakta për kualifikim. Megjithatë, as “siluri” i Asllanit dhe as shansi i Brojës në kohën shtesë nuk i dhanë mundësi Shqipërisë të vazhdonte më tej dhe konkurrimi i tyre në këtë kompeticion mori fund”, shkruan BBC.

Shqipëria humbi minimalisht 1-0 ndaj Spanjës duke e mbyllur grupin në vendin e fundit me 1 pikë. E para u rendit Spanja që nuk njeh humbje, e dyta Italia dhe e treta Kroacia.

Advertisement