Kosova
BE bën thirrje për përmbajtje, shpërthen Serbia: Standarde të dyfishta, Prishtina po shkel ujditë
Bashkimi Europian i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar, teksa shënohet një vit nga ndalimi i importeve të mallrave serbe nga autoritetet në Prishtinë.
Zëdhënësi Peter Stano përsëriti qëndrimin se të dyja palët duhet t’i përmbahen marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.
“Duhet të parandalojnë ose të përmbahen nga hapat që nuk janë të koordinuar, të njëanshëm dhe në çdo gjë që bëjnë duhet të fokusohen në zbatimin e marrëveshjeve në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Deklarata e Stanos, duket se nuk i ka pëlqyer Serbisë. Shefi i të ashtuquajturës, zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkovic shpërtheu kundër Stanos dhe akuzoi BE për standarde të dyfishta.
“Ja si duket politika e BE me standarde të dyfishta! Prishtina bën një lëvizje përshkallëzuese dhe prish marrëveshjet, BE u bën thirrje “të dyja palëve” të përmbahen! Nga çfarë saktësisht duhet të përmbahet Beogradi? Nga kërkesa që populli ynë të ketë gjërat elementare të jetës? Nga kërkesa që Prishtina të respektojë marrëveshjet dhe të mundësojë qarkullimin e lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve? Këto janë, për t’i kujtuar zotërisë vlerat themelore që BE duhet të përfaqësojë”.
Kosova ndaloi importet e mallrave nga Serbia, si kundërpërgjigje ndaj rrëmbimit të 3 policëve kosovarë nga xhandarmëria serbe në kufi, 1 vit më parë.